Ishulli grek i Mikonos është destinacioni i shtatë më i shtrenjtë i globit sa i takon çmimit të hoteleve këtë verë. Të dhënat nga website-i Trivago, i cili bën krahasimin e çmimeve, thonë se mesatarja e kuotimit online në këtë ishull është 244 euro.
Në lupën e portalit informativ kanë përfunduar 700 mijë hotele nga më shumë se 150 site rezervimesh në mbarë botën. Zvicra renditet si vendi më i shtrenjtë, me katër shtetet në krye të listës së dhjetëshes që taksojnë mesatarisht 247 euro nata, ndërsa hotelet më të lira gjenden në Indi dhe Azinë jug-lindore.
Në dhjetëshen e hoteleve me çmimet më të ulëta figuron vetëm një destinacion europian, i cili është Ravda në Bullgari. Greqia është duke përjetuar këtë verë një rekord turistik.
Pronarët e hoteleve gëzohen dhe rrisin çmimet ku të munden, ndërsa qeveria bën thirrje për shmangie të abuzimeve. Shifrat flasin vetë: sivjet priten më shumë se 21 milionë vizitorë në Greqi: 10% më shumë se në 2013-n.
Edhe të ardhurat nga turizimi priten po ashtu të arrijnë nivele rekord, në 13 miliardë euro, bën të ditur Shoqata e Bizneseve Turistike, SETE. Duket se këtë verë turizmi do të jetë komardarja e shpëtimit për ekonominë greke.
Megjithatë, disa hotele po përpiqen të nxjerrin përfitime të shpejta. Këtë korrik, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimet e hoteleve në Greqi janë rritur me 13,5%, sipas Trivago, ndërsa rritje të ndjeshme të çmimeve ka pasur edhe në kryeqytetin Athinë.
Top Channel