Opozita “rrethon” Parlamentin

15/05/2014 00:00

Rreth dy orë e gjysmë pasi nisën protestën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, përpara sallës së Parlamentit, demokratët lajmëruan atë që e cilësuan fitore të parë të protestës, edhe pse askush nuk lajmëroi asnjë dorëheqje.

“Nën presionin e zërit të qytetarëve të lirë të këtij vendi, Parlamenti nisi debatin e kërkuar nga opozita”, u shpreh Lulzim Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike erdhi pranë protestuesve në mesditë, ndërsa për rreth dy orë, me një ekran të madh dhe një mikrofon në dorë, protestuesit, që ndiqnin edhe punimet e Parlamentit, dukej sikur ishin lënë pa një skenar të mirëfilltë dhe të organizuar dhe gjithkush mund ta merrte mikrofonin në dorë.

Në përgjithësi, protesta, që përshëndetej herë pas here nga deputetë të Partisë Demokratike, ishte konceptuar si një mbështetje për deputetët e opozitës brenda sallës së Parlamentit, dhe si presion ndaj mazhorancës dhe kryeministrit Rama. Por, protesta ishte edhe një rast, që demokratët e rinj të prezantoheshin me militantët nga podiumi i protestës.

“Ky kryeministër duhet të japë dorëheqjen. Jepe dorëheqjen! Ik zotëri, ik dhe merr përgjegjësinë. Ata mendojnë se ne do lodhemi, po ju e mendoni këtë? Jemi këtu, rrofshim ne, rroftë Shqipëria”, tha Grida Duma.

Kjo nuk do të jetë protesta e vetme e demkratëve. Këtë ka të qartë edhe kryetari Lulzim Basha, i cili ka shpallur lëvizjen e protestës “Rama ik”.

“Por tani, ne nuk jemi vetëm opozita, por jemi shumica absolute e shqiptarëve dhe kemi detyrë dhe të drejtën t’i themi Edi Ramës tërhiqu dhe ik. E nisëm këtë betejë sot, për ta vazhduar nesër, javën tjetër, çdo ditë, javë dhe muaj, deri sa Edi Rama të marrë përgjegjësinë dhe të largohet”, përfundoi Basha.

***

Ndërsa deputeti Strazimiri tha: “Kemi dalë si përfaqësi e grupit parlamentar të opozitës për t’ju garantuar se ne do të kërkojmë në Kuvend të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Nuk pranojmë të qeverisemi nga narkotrafikantët. Ky është vetëm fillimi.”

Deputeti Aldo Bumçi deklaroi para protestuesve se opozita “do i shkojë deri në fund kësaj çështjeje, deri në largimin e Edi Ramës”.

Pas ndërprerjes së seancës për disa minuta, deputetja Mesila Doda doli para mbështetësve të PD-së duke thënë: “Fitoren e parë e arritëm, tani kanë ndërprerë seancën për të marrë parasysh kërkesat tona për një debat për Shqipërinë që e ka mbytur trafiku i drogës. Rama i ka dhënë pushtet narkotrafikantëve, po ndërpret rrugën tonë drejt Europës duke ndërtuar një shtet kriminal. I kërkoj militantëve të PD-së që të gjithë bashkë të rezistojmë derisa qeveria të japë dorëheqjen”.

Gerti Bogdani kërkoi largimin e kryeministrit: “Ky kryeministër duhet të ikë pasi nuk di të zgjidhë problemet. Duhet të ikë pasi mohoi çështjen e armëve kimike dhe avionëve të drogës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA