Qeveria amerikane raportohet të ketë krijuar një sistem, nëpërmjet të cilit mund të regjistrojë çdo telefonatë përgjatë një muaji, të bërë në një vend të huaj të paidentifikuar.
Programi i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare (NSA) u krijua në vitin 2009, raporton “Washington Post”. Ish-kontraktori i inteligjencës amerikane, tashmë në azil, Edward Snowden, i cili bëri publike detaje të këtij sistemi, premtoi se do të tregojë më shumë zbulime në vijim.
Grupet e të drejtave civile e quajtën raportin “drithërues”, por zyrtarët amerikanë nuk priten të komentojnë mbi këtë zhvillim. Një dizajn i asaj që mund të jetë udhëzuesi i brendshëm i sistemit, të quajtur “Mystic”, tregon një magjistar kartonash që përdor një staf me një telefon celucar në dorë.
“Mystic” është i vetmi program i njohur i përgjimeve amerikane, që përdoret për të kapur çdo telefonatë në mbarë rrjetin telefonik të një kombi, sipas “Washington Post”.
Gazeta njofton se, pas kërkesës së autoriteteve amerikane, ajo nuk do të bëjë të ditur emrin e vendit të huaj, apo të atyre vendeve ku ky sistem është parashikuar të përdoret.
Në raportin e saj, jepet një përmbledhje e klasifikuar e sistemit, që sugjeron kapjen e miliarda bisedave në një afat 30-ditor, që fshin më pas regjistrimet e vjetra sapo bëhen të rejat.
I pyetur mbi raportin në përmbledhjen ditore të tij, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, tha: “Ne, si rregull të përgjithshëm, kemi moskomentimin e akuzave specifike apo raporteve”. Por, aktivistët e të drejtave civile thanë se ky zbulim është “tepër rrënqethës”.
“Është një zbulim që thekson se sa të mëdha janë mundësitë për të debatuar mbi çështjen e përgjimeve”, tha Jammel Jaffer për “Reuters”, drejtues i Sindikatës amerikane të Lirive Civile. Ndërkohë, Snowden u shfaq të martën në formën e një roboti të kontrolluar online në konferencën influencuese TED, në Vancouver të Kanadasë.
“Sigurisht që do të ketë edhe zbulime të tjera”, tha ish-kontraktori i NSA-së, i cili ka siguruar azil politik në Rusi që prej vitit të kaluar. “Disa prej raportimeve më të rëndësishme ende nuk janë zbuluar. Do të bëhen në vijim”.
Top Channel