Në një dalje të rrallë para një publiku nëpërmjet internetit, informatori i arratisur i NSA-së, Edward Snowden, tha për audiencën e një konference mbi teknologjinë, gjatë së hënës, se ata duhet të ndihmojnë në “përmirësimin” e survejimeve qeveritare ndaj shtetasve amerikanë.
Ai foli nga Rusia për një audiencë prej mijëra vetësh në Festivalin Interaktiv “South by Southwest”, në Austin. Eventi shënoi herën e parë që ish-kontraktori i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare i është drejtuar drejtpërdrejt njerëzve në SHBA, që kur u largua nga vendi, së bashku me mijëra dokumente sekrete, Qershorin e kaluar.
Duke iu përgjigjur një pytjeje, Snowden tha se nuk ishte bërë aspak pishman për vendimin e tij për të zbardhur dokumentet e NSA, që treguan se agjencia e inteligjencës kishte monitoruar në mënyrë sekrete telefonat e amerikanëve dhe aktivitetin e tyre në internet, në emër të sigurisë kombëtare.
“Nëse do ta bëja sërish atë veprim? Sigurisht. S’ka rëndësi se çfarë ndodh me mua, kjo është diçka për të cilën kishim të drejtë ta dinim”, tha ai. “Unë u betova se do të mbështesja dhe do të mbroja Kushtetutën, por pashë se Kushtetuta po shkelej masivisht”, shtoi ai, duke u duartrokitur më pas nga 3000 njerëz në auditoret e Qendrës së Konventave të Austin.
“South by Southwest dhe komuniteti i teknologjisë, njerëzit aty në sallën e Austin, ata janë të vetmit që mund ta korrigjojnë këtë”, kishte thënë më herët Snowden. “Ka një përgjigje politike që duhet ndërmarrë, por ka edhe një përgjigje teknologjike që mund të jepet”.
Ai u shfaq në ekranet e videos me një kopje të Kushtetutës amerikane si sfond, teksa pamja në ekran ngecte shpesh për shkak të linjës së dobët të transmetimit.
Top Channel