Një tjetër aksident tragjik u ka marrë jetën pesë personave në aksin
nacional Sarandë-Qafë Botë. Dy automjete janë përplasur ballë përballë
me njëra-tjetrën në vendin e quajtur Ura e Bogozës.

Viktimat e aksidentit, sipas policisë, janë Petro dhe Kristo Meçi, Fejzo
dhe Krenar Sulo, si dhe Taip Madani. Të pestë burrat po udhëtonin në dy
automjete të ndryshme, njëri tip “Alfa Romeo” me targë “AA 493 IE” dhe
tjetri tip “Reno” me targë “AA 875 GB”, thotë policia rrugore e
Sarandës.

Policia po bën këqyrjen e vendngjarjes për të konkluduar në shkaqet e
aksidentit, ndërkohë që dyshohet se një ndër faktorët e përplasjes është
edhe qarkullimi tej normave të lejuara të të dyja mjeteve që ishin me
sens të kundërt.

Policia paraprakisht thotë për Top Channel se njëri nga automjetet që
drejtohej nga i ndjeri Taip Madani dyshohet se ka hyrë në korsinë
tjetër, çka mendohet se ka sjellë edhe aksidentin tragjik.

Policia tha gjithashtu se Madani po kthehej nga ceremonia mortore e një
të afërmi, ndërkohë që automjeti tjetër me të cilin u përplas po
udhëtonte drejt pikës kufitare të Qafë Botës për të pritur trupin e një
familjari tjetër të pajetë që kishte ndërruar jetë në Greqi.

Policia shtoi se pistë tjetër për shkaqet se si ka ndodhur aksidenti
pritet të përcaktohen në raportin autoteknik të ekspertëve të
qarkullimit rrugor, ndërsa paraprakisht dyshohet si faktor shtesë në
përplasjen tragjike edhe lagështira në rrugë. 

Tragjedi në Kukës. Furgoni bie në humnerë, 6 viktima

Gjashtë persona që po udhëtonin me një furgon të linjës nga fshati
Shtrezë drejt qytetit të Kukësit humbën jetën dhe 7 të tjerë u plagosën
rëndë në një aksident automobilistik në aksin rrugor Shishtavec-Kukës.

Aksidenti ndodhi në vendin e quajtur Ura e Topojanit. Automjeti raportohet të ketë dalë nga rruga rreth orës 6.45 minuta të mëngjesit të së shtunës, kohë në të cilën salla operative e policisë së Kukesit është njoftuar nga një kalimtar i rastit për aksidentin tragjik.

Viktimat, tha policia lokale, janë banorë të së njëjtës zonë, si edhe të afërm me njëri-tjetrin, ndërkohë që tre prej tyre janë nga e njëjta familje. Policia e Kukësit njoftoi se viktimat janë Fehim Biba 58 vjeç, Zykri Shehu 65 vjeç, Zamir Karanxha 42 vjeç, drejtuesi i mjetit Bashkim Çuni 21 vjec, kunata e tij Majlinda Çuni, e cila raportohet se ishte shtatëzënë dhe Meleqe Serani.

Katër nga të plagosurit, mes tyre vëllai i drejtuesit të mjetit, Xhevahir Çuni 22 vjec, Petrit Mustafa 30 vjeç, Hyrije Kovaçi 67 vjeçe dhe Rustem Biba 24, u përcollën për në Spitalin Ushtarak për shkak të dëmtimeve të rënda.

“Nga 4 të hospitalizuarit pranë qendrës së traumës, 3 janë në reanimacion, 1 në gjendje kritike. Dy prej tyre janë më mirë, por prognoza është e rezervuar, ndërsa gruaja është në kirurgji me dëme të lehta, jashtë rrezikut për jetën”, sqaroi Klodian Rrjepaj, zv.ministër i Shëndetësisë.

Tre të plagosur të tjerë, raportoi më vonë policia lokale, ishin transportuar për në spitalin e Kukësit nga banorë të zonës dhe gjendja e tyre konsiderohet jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Kukësit i tha Top Channel se drejtuesi i mjetit tip furgon me targë “AA 870 FY” ishte i pajisur me dokumentacionin përkatës, ndërkohë që besohet se ai mund të ketë humbur kontrollin nga ndonjë tërheqje e mundshme e vëmendjes, pasi sipas ekspertëve, nga këqyrja paraprake në mjetin e shkatërruar plotësisht përjashtohen dyshimet që automjeti të ketë qenë duke udhëtuar tej normave të lejuara të shpejtësisë.

Ekspertët shtuan se  mjeti u gjet me marshin e dytë dhe me frena ngritur, çka lë në fuqi dy pista: ose atë të humbjes së vëmendjes nga shoferi; ose atë të një defekti teknik. Megjithatë, gjithçka pritet të zbardhet nga grupi i hetimit dhe nga dëshmitë e pasagjerëve që mbijetuan nga ky aksident tragjik.

Top Channel