Gjeneva, asnjë zgjidhje për Sirinë

31/01/2014 00:00

Bisedimet e Gjenevës përfunduan ashtu siç nisën: pa shpresën e një rrugëdaljeje për Sirinë e zhytur në një konflikt të përgjakshëm trevjeçar.

Delegacionet e dy palëve kundërshtare lëshuan akuza e ofenduan njëri-tjetrin, duke bërë që konferenca një javore e paqes të mbyllej pa një marrëveshje konkrete. Për qeverinë, opozita është e papjekur; për rivalët, regjimi nuk e dëshiron fundin e gjakderdhjes.

“Nuk arritëm rezultate të prekshme gjatë dialogut të kësaj jave për dy arsye kryesore: e para, papjekuria e palës tjetër dhe kërcënimet e saj për të bojkotuar bisedimet; tjetra, kryeneçësia me të cilën këmbëngulej në diskutimin e një çështjeje të vetme, a thua se erdhëm këtu për një orë, që t’u jepnim çfarë të donin, e pastaj të shkonim në shtëpi”, u shpreh Walid al-Moualem, ministër i Jashtëm i Sirisë.

“Kur të rikthehemi do të diskutojmë detajet e tranzicionit në Sirinë e re, në Sirinë demokratike, larg diktaturës, larg sundimit të një personi, që e ka vendosur veten mbi kombin. Sirianët kanë vuajtur shumë. Çfarë është tepër, është tepër”, tha Louay Safi, zëdhënës i opozitës siriane.

Rikthimi, të cilit i referohet përfaqësuesi opozitar, është një raund tjetër bisedimesh, i parashikuar të mbahet më 10 Shkurt. Për të dërguarin e OKB-së, Lakhdar Brahimi, pavarësisht ndasive të mëdha, terren të përbashkët pati, edhe pse jo aq sa të mjaftonte për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës trevjeçare”, tha Lahkdar Brahimi, i dërguar i OKB-së.

Progresi është vërtet shumë i ngadaltë, por duhet të them se palët janë angazhuar që të dyja në një mënyrë të pranueshme. Ky është një fillim shumë modest, por është fillimi i diçkaje, mbi të cilën të mund të ndërtojmë.

Në Gjenevë u diskutuan çështje humanitare dhe rrugët e mundshme për fundin e dhunës. Pati disa marrëveshje për armëpushime zonale, të cilat të lejojnë kalimin e punonjësve të ndihmës, çka do të jetë lehtësim i madh për mijëra familje në nevojë.

Diplomatët e përshkruan si jashtëzakonisht të tensionuar, atmosferën përgjatë gjithë konferencës dhe, mungesa e përfaqësimit të disa grupeve rebele, përfshirë Frontin al Nusram të lidhur me al-Qaeda-n duket se i vështirësoi edhe më shumë negociatat.

Megjithatë, prioritet kryesor në Gjenevë mbetet vazhdimësia e procesit të bisedimeve me shpresën se koha do të ndihmojë në ndryshimin e pozicioneve të vijës së ashpër.

Siria, bisedimet mbyllen me fyerje
Brahimi: Hendeku është i gjerë, por ka përafrime

Qeveria dhe opozita siriane kanë shkëmbyer kanë shkëmbyer fyerje pasi konferenca njëjavore e paqes në Gjenevë të Zvicrës ka përfunduar pa një marrëveshje.

Ministri i Jashtëm sirian Walid Muallem deklaroi se opozita ishte e papjekur, ndërkohë që përfaqësuesi i kësaj të fundit, Louay Safi tha se regjimi nuk ka dëshirë për të ndalur gjakderdhjen.

Gjithësesi, i dërguari i OKB-së Lakhdar Brahimi deklaroi se ka konstatuar qëndrime të përafërta mes palëve dhe ka planifikuar datën 10 shkurt për bisedimet e ardhshme. Opozita siriane ka pranuar të marrë pjesë, ndërsa zoti Muallem refuzoi të bënte zotimin.

“Ne përfaqësojmë shqetësimet dhe interesat e popullit tonë. Nëse atyre do t’u interesojë një takim tjetër, atëherë ne do të vijmë sërish këtu”, tha ai për mediat.

Ndërsa zoti Safi u shpreh se opozita nuk do të ulet në bisedime pafundësisht dhe i bëri thirrje qeverisë që të shqyrtojë seriozisht kalimin e pushtetit.

Dy palët në seancën e së premtes diskutuan për çështjet humanitare dhe mbi mënyrat për t’i dhënë fund dhunës, duke rënë dakord për garantimin e aksesit për ndihmat humanitare në disa pjesë të vendit.

Mbi 100 mijë persona kanë vdekur në Siri që prej nisjes së kryengritjeve kundër regjimit të presidentit Bashar al Assad në mars të vitit 2011.

“Progresi është shumë i ngadaltë, por të dyja palët janë sjellë në mënyrë të pranueshme. Ky është një fillim shumë modest, por gjithashtu një fillim mbi të cilin ne mund të investojmë”, deklaroi në fund të takimit negociatori i OKB-së.

Zoti Brahimi tha se, pavarësisht se hendeku mes dy palëve është shumë i gjerë, ato tashmë janë mësuar të ulen në të njëjtën tryezë me njëra-tjetrën. “Ka pasur momente kur njëra palë ka dëgjuar me interes shqetësimet e tjetrës”, shtoi Brahimi.

Top Channel