Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar vazhdoi aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare të Dhërmiut.
Në fokus të aksionit të sotëm ishte shkatërrimi i një hoteli trekatësh. Pas tre orë pune, fadromat e INUK hodhën në shesh godinën, duke e çuar në dhjetë numrin e prishjeve të ndërtimeve shumëkatëshe.
Me kërkesën e tij, pronarit të hotelit i ishin lënë edhe dy ditë afat për të larguar materialet dhe pajisjet e hotelit.
Drejtori i INUK, Zyhdi Dajti, deklaroi:
“Në ditët në vazhdim do të prishen edhe objekte të tjera, nga dy deri në katërkatëshe, hotele, lokale dhe shtëpi të ndërtuara pa leje e pa dokumentacion të rregullt. Sipas z. Dajti, në zonën e Dhërmiut janë rreth 25 hotele dhe lokale me konstruksion betoni, prej të cilave 10 janë shembur nga fadromat, ndërsa në vazhdim do të shkatërrohen edhe 15 të tjera. Ndërsa me dhjetra bare dhe kabina plazhi janë prishur nga fadromat”.
Zyrtarë të Inspektoriatit thanë se, pas përfundimit të aksionit, në zonën bregdetare të Dhërmiut do të operohet në zonën e Himarës, për t’u rikthyer sërish në Vlorë. Në fokus të prishjeve do të jetë zona e Radhimës, për të rrafshuar ndërtimet në gjithë vijën bregdetare, duke i hapur rrugë projektit të ndërtimeve, që qeveria ka parashikuar për bregdetin e Vlorës.
Top Channel