Libi, lirohet personeli ushtarak amerikan

28/12/2013 00:00

Autoritetet libiane kanë liruar katër anëtarë të personelit ushtarak amerikan, disa orë pasi i kishin arrestuar ditën e premte.

Shtetasit amerikane ishin arrestuar në afërsi të qytetit Sabratha, në perëndim të kryeqytetit libian, Tripoli.

Pamje që tregonin pasaportat e dy shtetasve amerikanë dhe kartat ID të ambasadës së Shteteve të Bashkuara u publikuan në rrjetet sociale.

Shefi i këshillit ushtarak në Sabratha deklaroi se amerikanët po udhëtonin me një fuoristradë kur u ndaluan në një postobllok.

Departamenti i Shtetit njoftoi të premten se të katërt ata ishin ndaluar teksa po mbikëqyrnin rrugët e evakuimit për stafin e ambasadës.

Por rreth një orë më vonë zyrtarë amerikanë të paidentifikuar deklaroi se ata ishin liruar. Arsyet e ndalimit të tyre mbeten të paqarta.

Thuhet se amerikanët ishin të armatosur dhe mbanin pajisje komunikimi me vete. Një prej makinave të tyre iu vu zjarri pas arrestimit.

Diplomatët amerikanë kanë vepruar në vend nën masa të rrepta sigurie që pas sulmit të vitit të kaluar në konsullatën amerikane në Bengazi, ku humbi jetën ambasadori Christopher Stevens dhe tre amerikanë të tjerë.

Situata e sigurisë në Bengazi dhe rrethinat e tij është përkeqësuar në muajt e fundit, me militantët që janë fajësuar për sulmet fatale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA