Sudani Jugor, OKB miraton përforcimet

25/12/2013 03:00

Këshilli i Sigurisë së OKB-së ka miratuar planet mbi thuajse dyfishimin e numrit të paqeruajtësve nga Kombet e Bashkuara në Sudanin Jugor.

Këshilli prej 15 anëtarësh, autorizoi unanimisht gjatë së martës një kërkesë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, për të përforcuar misionin e OKB-së në Sudanin Jugor, me 12,500 ushtarë dhe 1323 policë, ndërkohë që numri aktual nga mandati i kaluar ishte 7,000 ushtarë dhe 900 policë.

Më herët, gjatë së martës, shefi më i lartë humanitar i OKB-së në vend njoftoi se mijëra shtetas të Sudanit Jugor kanë vdekur gjatë dhunës së shfaqur këto javë, duke dhënë indiciet e para të shkallës së përhapjes së dhunës në vendin më të ri të Afrikës dhe botës.

Numri zyrtar i të vdekurve kishte ngelur prej ditës në rreth 500, edhe pse shifrat besohej se do të rriteshin shumë më tepër, duke përllogaritur të paktën 1000 të tillë.

Shefi i të drejtave të njeriut në OKB, Navi Pillay, tha gjatë së martës se një varr masiv ishte zbuluar në qytetin e pushtuar nga rebelët, Bentiu, ndërkohë që ka pasur raportime për të paktën dy varre të tjera masive në kryeqytetin Juba.

Rezultatet janë pasojë e luftimeve të përshkallëzuara prej më shumë se 1 jave, mes trupave besnikë të presidentit Salva Kiir, dhe atyre që mbështesin rivalin e tij, Riek Machar, një ish-zv/president, i cili u shkarkua gjatë muajit korrik.

Forcat e Machar u larguan nga qyteti i Bor-it gjatë së martës prej ushtrisë, por ende kanë nën kontroll Bentiu-n, kryeqytet i shtetit të pasur me prodhime nafte, Unity, ku situata vazhdon të jetë e tensionuar.

Për herë të parë, gjatë së martës, Machar ka deklaruar se është i gatshëm të pranojë ofertën e Kiir për bisedime, duke sugjeruar se vendi fqinj i Etiopisë të jetë vendi neutral i takimit.

“Jemi gati për bisedime”, tha ai për Radio France Internationale (RFI), duke shtuar se kishte folur më herët gjatë ditës me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, si dhe ministrin e Jashtëm të Etiopisë, Tedros Adhanom.

“Duam zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike. Duam që Salva Kiir të vendosë ditën e mbajtjes së zgjedhjeve”, tha Machar, duke listuar kërkesat, vetëm pak ditë pas thirrjeve të diplomatëve afrikanë dhe fuqive Perëndimore për të ndalur luftimet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA