Sochi 2014, bojkot i zyrtarëve francezë

16/12/2013 16:05

As presidenti Francois Hollande dhe asnjë zyrtar tjetër i lartë francez nuk do të marrin pjesë në Lojrat Olimpike Dimërore të 2014-s, që do të zhvillohen në Sochi të Rusisë.

Lajmi u komunikua ditën e hënë nga Ministri i Jashtëm i Francës, Laurent Fabius.

Javën e kaluar, Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, gjithashtu konfirmoi mospjesmarrjen e tij në lojrat që do të zhvillohen në resortin alpin pranë Detit të Zi.

Aktivistët i kanë kërkuar drejtuesve të shteteve që të bojkotojnë lojrat për shkak të abuzimeve me të drejtat e njeriut në Rusi, midis të cilave renditet edhe propaganda e rrezikshme kundër homoseksualëve.

Megjithatë, në intervistën për radion “Europe 1”, Fabius thjesht u mjaftua duke thënë se “zyrtarët francezë nuk kanë në plan të udhëtojnë në Rusi”.

Ai nuk përcaktoi asnjë shkak si arsye të këtij bojkoti.

Top Channel