Senati arriti marrëveshjen për të rritur kufirin e borxhit dhe për të rihapur qeverinë amerikane, vetëm një ditë përpara 17 tetorit, afatit të fundit.
Do të jetë Dhoma e Përfaqësuesve, që do ta votojë e para, një lëvizje proceduriale kjo, që do të lehtësojë miratimin e tij.
Mediat raportojnë se një grup i vogël republikanësh pritet t’u bashkohen demokratëve, për ta çuar projektligjin mbi tryezën e presidentit amerikan, Barack Obama.
Plani i kreut demokrat, Herry Reid, dhe republikanit, Mitch McConnell, do të zgjasë kufirin e huamarrjes deri më 7 shkurt dhe do t’i hapë rrugën financimit të qeverisë deri në mes të janarit.
“Gjatë kësaj kohe, ne mund të punojmë drejt një marrëveshje afatgjate, për të parandaluar krizat e shpeshta. Nuk është koha për të treguar fajtorët, është koha e pajtimit. Unë shpresoj të punoj me kolegët në të dy anët e kësaj ndërtese të madhe, për të miratuar një marrëveshje të rëndësishme, që do të mbrojë në afat të gjatë shëndetin e ekonomisë sonë, të shmangë paaftësinë e shlyerjes së detyrimeve financiare dhe të na lejojë për të vendosur themelin e zgjerimit të ekonomisë sonë”, tha Reid.
“Pas ngjarjeve të djeshme, kreu i shumicës dhe unë nisëm një seri bisedimesh për të rihapur qeverinë dhe për të parandaluar shmangien e paaftësisë për të shlyer detyrimet financiare. Jam besimplotë se do t’i arrijmë këto gjatë ditës”, tha McConnell.
Politikanë, bankierë dhe ekonomistë paralajmëruan për pasoja në ekonominë botërore, nëse nuk arrihej në një marrëveshje. Departamenti i Thesarit po përdor ato që quhen “masa të jashtëzakonshme” për të paguar detyrimet e vendit, që kur u arrit në kufirin aktual të borxhit. Këto masa do të përfundojnë më 17 tetor.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, tha se, presidenti shpreson që dy dhomat e Kongresit të lëvizin me shpejtësi për të miratuar marrëveshjen e Senatit.
Megjithëse fajësojnë të dy palët, peshën më të rëndë të opinionit publik e mbajnë republikanët. Shqetësimet po bëhen të dukshme në radhët e tyre. Senatori Ted Krus, konservatori i linjës së ashpër, një prej arkitektëve të mbylljes së qeverisë dhe kundërshtar i ligjit për kujdesin shëndetësor “Obamacare”, tha se nuk do ta bllokojë projektligjin.
Shtëpia e Bardhë refuzoi të negocionte për ligjin mbi kujdesin shëndetësor, duke nënvizuar se ai u miratua në 2010 dhe më pas u cilësua i vlefshëm nga Gjykata e Lartë, ishte një çështje kryesore në zgjedhjet presidenciale të 2012, që Barack Obama i fitoi lehtësisht.
Top Channel