Është gjetur e pajetë në dhomën e një hoteli në Sevilja të Spanjës, pilotja rezervë e Formulës 1, Maria De Villota.
33-vjeçarja spanjolle është gjetur e pajetë nga punonjës të hotelit në orët e para të së premtes, ndërkohë që autoritetet vendase po hetojnë për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së saj.
Maria De Villota është vajza e ish-pilotit të Formulës 1, Emilio De Villota. Vitin e kaluar ajo u përfshi në një aksident tragjik kur pas përplasjes së makinës së saj me pjesët mbrojtëse të pistës pësoi dëmtime të rënda në fytyrë, përfshirë humbjen e njërit sy.
Mësohet se 33-vjeçarja ndodhej në Sevilje për të promovuar librin e saj autobiografik për vitet e saj në Formula 1, krah pilotëve më të famshëm.
Lajmi i vdekjes së saj ka tronditur botën e Formula 1. Pilotë dhe skuadra kanë shprehur ngushëllimet për familjarët e Marias.
Para rolit të saj si pilote rezervë në Formula 1, Maria ka garuar në “Spanish Formula 3” dhe “Daytona 24 Hours Race”.
Top Channel