Për festën e 1 Majit, 2010 e organizuar në Tiranë, Prokuroria ka dyshime
se tetë ish-zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale kanë
shpërdoruar fondet, duke paracaktuar si fituese një kompani të prodhimit
të spoteve televizive me anë të falsifikimit të dokumenteve, çka ka
sjellë edhe një dëm prej gati 20 milionë lekësh.
Referuar dokumentacionit, prokurori i njësisë task-forcë, Ndini Tavani dyshon se abuzimet janë kryer në harkun e 10 ditëve, ndërkohë që fatura e firmosur për organizimin e këtij aktiviteti deklarohet 19 milionë e 800 mijë lekë.
Konkretisht, sipas Prokurorise me urdherin e 26 prillit 2010 të ministrit Spiro Ksera është ngritur komisioni për ndjekjen e procedurave për organizimin e festimeve të 1 Majit. Në përbërje të Komisionit kanë qenë: kryetar, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë Murat Mehmeti, drejtori i Kabinetit Klevis Bitro, shefi i financancës, Ilir Ibrahimi dhe sekretari i përgjithshëm, Besnik Dema. Këta të fundit si anëtarë të komisionit.
Brenda kësaj dite u janë dërguar ftesa për organizimin e aktivitetit tre subjekteve private dhe tre ditë më pas rezultojnë të protokolluara tre ofertat e subjekteve.
Në datën 30 prill, kryetari i komisionit Mehmeti njofton ministrin duke i dorëzuar raportin për organizimin e aktivitetit të 1 Majit, në një kohë që në të njëjtën ditë lidhet edhe kontrata me njërin nga subjektet për organizimin e këtij aktiviteti. Pesë ditë pas festës së 1 Majit, – thotë Prokuroria,- subjekti në fjalë lëshon faturën tatimore të shitjes për blerësin, që në këtë rast është Ministria, në shumën e mbi 19 milionë lekëve.
Prokuroria thotë se u është kërkuar informacion televizioneve, ku sipas ofertës së paraqitur nga subjekti fitues, do të transmetohej spoti televiziv për festën e 1 Majit.
Duke qene se subjekti ka kontraktuar me tre televizione, rezulton, sipas Prokurorisë se konkurrimi të jetë bërë fiktiv, pasi nga dokumentacioni del se oferta e subjektit fitues, të jetë protokolluar në Ministri në datën 29 prill dhe kontrata që e ka shpallur fitues është lidhur në një ditë më vonë. Për këtë, sipas prokurorisë subjekti fitues ishte i paracaktuar dhe nuk ka patur konkurrim. E njejta skenë, dyshon Prokuroria është ndjekur edhe në tre raste të tjera abuzive për organizimin e evenimenteve festive duke shpërdoruar me fondet shumën e 10 milionë lekëve. Për katër zyrtarë, Gjykata ka vendosur arrest me burg, dy prej të cilëve janë ndaluar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa katër të tjerë që ishin anëtarë në Komisionit të Vlerësimit të Ofertave rezultojnë me masën e detyrimit me paraqitje.
Top Channel