Teksa kryeministri kosovar Hashim Thaçi vazhdon t’u bëjë thirrje qytetarëve serbë për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, politikanët serbë në Kosovë nuk e përjashtojnë mundësinë e shtyrjes së këtij procesi, shkruan gazeta serbe “Danas”.
Bazuar në planin operativ, afati për hapjen e tenderit për prodhimin e fletëvotimeve skadon më 24 gusht, ndërsa dizajni i tyre do të duhet të miratohet deri më 25 shtator.
Ajo që mbetet sfidë edhe më tej është kushti i Serbisë që në fletëvotime të mos ketë simbole shtetërore të Kosovës. Në anën tjetër, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka ka deklaruar se ende nuk është biseduar rreth dizajnit të fletëvotimeve për zgjedhjet e pritshme lokale.
Por, nëse procesi do të zhvillohet sipas dinamikave të parapara dhe sipas marrëveshjeve të arritura, zv/kryeministrja Edita Tahiri thotë se, më 30 shtator do të shuhen të gjitha strukturat ilegale serbe në veri të Kosovës. Ajo deklaroi se në Bruksel është biseduar edhe për IBM-në dhe se po punohet për ndërtimin e ndërtesave të përhershme në pikat doganore.
“Në qoftë se procesi zhvillohet sipas dinamikave të parashikuara dhe marrëveshjeve e konkluzioneve të dakorduara, atëherë më 30 shtator shuhen të gjitha strukturat ilegale të sigurisë që kanë vepruar që nga paslufta në Kosovë. Ndërkohë do të ndodhë edhe integrimi i individëve që dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës”, deklaroi Tahiri.
Ndërsa kryeministri i Hashim Thaçi tha se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e 3 nëntorit i jep kuptim të plotë zgjedhjeve. “Zgjedhjet e 3 nëntorit do të dërgojnë mesazhin më të mirë evropian të Kosovës, se Kosova po lëviz me hapa të sigurtë, duke respektuar dhe plotësuar kriteret dhe standardet perëndimore, duke plotësuar kriteret për jetën e re demokratike dhe Kosovën evropiane”, tha Thaçi.
Sipas kryeministrit, qeveria është e gatshme për kryerjen e detyrimeve të saj në këtë proces, të cilin e quajti historik për vendin. Por, ai nuk komentoi mundësinë e shtyrjes së mundshme të zgjedhjeve. Me marrëveshjen e arritur në Bruksel më 19 prill, OSBE-ja do të ketë rol ndihmës në procesin e zgjedhjeve lokale më 3 nëntor, në veçanti në katër komunat e pjesës veriore të Kosovës.
Top Channel