Sulm autokolonës së Assad?

08/08/2013 00:00

Rebelët sirianë njoftuan ndërmarrjen e një sulmi të armatosur ndaj karvanit të makinës së presidentit Bashar al-Assad.

Më herët Islam Alloush, militant i brigadës “Liwa al-Islam” tha për agjencinë e lajmeve Reuters se raketat e rebelëve kishin goditur karvanin e makinave që shoqëronin presidentin sirian. Ai tha se sulmi është ndërmarrë në kohën kur autokolona e presidentit ishte drejtuar për tek xhamia Anas bin Malek në kryeqytet.

Por sulmi është mohuar nga Ministri sirian i Informacionit. Omran Zoabi tha se pretendimet për sulm ndaj kolonës së automjeteve që shoqërojnë presidentin janë “ëndrra dhe iluzion”.

Pak momente pas dhënies së lajmit të sulmit, Bashar al Assad u shfaq në pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror në Damask. Ai ndodhej në xhami për të festuar përfundimin e Muajit të Ramazanit dhe Bajramin e Madh i rrethuar nga besimtarë të tjerë.

Ndërkohë, Al Jazeera njofton se rrugët që të çojnë në al-Rawdha, pranë Damaskut, aty ku Assad ka zyrat dhe shtëpinë e tij, janë bllokuar si masa sigurie para lëvizjes së presidentit drejt xhamisë.

Ajo që analistët ndërkombëtarë po mundohen të kuptojnë është nëse pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëor janë regjistrim apo në kohë reale. BBC thotë se në monitorimin e saj kapi për pak sekonda logon “direkt” gjatë transmetimeve, por që u hoq shpejt.

Siria është përfshirë prej më shumë se 2 vitesh në një konflikt të armatosur që tashmë ka marrë përmasat e një lufte civile. Grupet opozitare, edhe pse të përcara, kërkojnë largimin e Assad nga pushteti, ndërsa ky i fundit i quan ata “terroristë”.

Lufta, sipas OKB-së, i ka marrë jetën mbi 100 mijë personave dhe miliona të tjerë kanë braktisur banesat e tyre për t’u strehuar në vendet fqinje, kryesisht në Turqi dhe Liban.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA