Rusia, “e zhgënjyer” për anulimin e bisedimeve

07/08/2013 23:40

Kremlini ka reaguar duke shprehur “zhgënjimin” e tyre pas anulimit nga pala amerikane të bisedimeve të shtatorit, për shkak të vendimit të Rusisë për t’i ofruar azil ish-analistit të inteligjencës, Edward Snowden.

Këshilltari për Marrëdhëniet me Jashtë, i presidentit Vladimir Putin, tha se kjo lëvizje tregoi se SHBA-të nuk mund t’i zhvillojnë lidhjet me Rusinë mbi “baza të njëjta e të barabarta”.

Një ndihmës i Shtëpisë së Bardhë tha se dhënia e azilit ndaj Snowden thelloi tensionin e mëparshëm mes dy vendeve. Por, Obama ende ka në plan të marrë pjesë në bisedimet ekonomike të G20-s, në Shën Pjetërburg.

Snowden, një ish-kontraktor i inteligjencës amerikane, pranoi rrjedhjen e informacioneve sekrete në media, të programeve të survejimit të SHBA-ve.

Këshilltari rus për Marrëdhëniet me Jashtë, Yuri Ushakov, tha, gjatë së mërkurës, se Rusia nuk duhet fajësuar për çështjen Snowden.

“Ky vendim është qartësisht i lidhur me situatën e ish-agjentit të shërbimeve speciale amerikane, Snowden, situatë që nuk u krijua nga ne”, tha ai gjatë një konference për shtyp, nëpërmjet telefonit.

“Për shumë vite, amerikanët kanë shmangur nënshkrimin e një marrëveshjeje ekstradimi”, tha Ushakov. “Ata janë përgjigjur gjithmonë negativisht, ndaj kërkesave tona për ekstradimin e njerëzve, që kanë kryer krime në territorin e Rusisë, pikërisht prej mungesës së kësaj marrëveshjeje ekstradimi”.

Por, ai shtoi se ftesa për samitin bilateral mbetet ende e hapur. “Përfaqësuesit rusë janë gati, të vazhdojnë të punojnë së bashku me partnerët amerikanë, mbi të gjitha çështjet kryesore në axhendën bilaterale, por edhe multilaterale”, tha Ushakov.

Vendimi për anulimin e bisedimeve, i shpallur gjatë një udhëtimi të presidentit amerikan drejt Los Angeles, erdhi vetëm një ditë pasi Obama reagoi me zhgënjim ndaj vendimit të Rusisë për t’i ofruar azil Snowden-it, për 1 vit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA