Ambasadat perëndimore në kryeqytetin e Jemenit, Sana, mes të cilave ajo e Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Francës, do të mbyllin dyert gjatë së djelës dhe së hënës.
Vendimi është marrë nga qeveritë e vendeve përkatëse, pas alarmit për rrezik nga sulmet terroriste të lëshuar nga administrata amerikane.
Uashingtoni zyrtar deklaroi se kishte interceptuar mesazhe “serioze dhe të besueshme” të Al Kaedës dhe për rrjedhojë mbylli të paktën 21 ambasada e konsullata për të djelën, që në Gadishullin Arabik është ditë pune.
Gjithashtu, Departamenti amerikan i Shtetit lëshoi një alarm udhëtimi global, për shkak të kërcënimit potencial ndaj turistëve amerikanë nga al-Qaeda.
Sipas raportimeve të BBC, ambasada britanike në Jemen operon prej kohësh me një staf të reduktuar, për shkak të rritjes së shqetësimeve mbi sigurinë.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme deklaroi se mbyllja ishte një masë paraprake, por nuk saktësoi nëse bëhej fjalë për ndonjë kërcënim specifik, duke shtuar se një numër ambasadash në Lindjen e Mesme janë paralajmëruar.
Ndërkohë, analisti i sigurisë, Peter Bergen deklaroi se grupet militante të Al Kaedës edhe më parë kanë shfaqur “interesa të forta për kryerjen e sulmeve” në ditën e 27 të muajit të Ramazanit, që i bie të djelën.
Edhe Robin Simcox, një ekspert që monitoron kërcënimet e Al Kaedës, tha për BBC se dyshon se SHBA kanë interceptuar komunikime mes liderëve të vjetër të Al Kaedës duke folur për komplote operacionale kundër ambasadave.
Top Channel