SHBA, alarm turistëve: Rrezik nga Al Kaeda

02/08/2013 19:05

Një alarm global i është shtuar vendimit të Uashingtonit për mbylljen e 19 ambasadave amerikane, kryesisht atyre në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme, ditën e diel.

Administrata e presidentit Barack Obama ka dhënë alarmin për rrezikun që sipas saj u kanoset qytetarëve në udhëtimet ndërkombëtare gjatë muajit gusht.

Agjencitë e inteligjencës kanë mbledhur informacione që flasin për atentate të mundshme kundër objektivave amerikanë nga grupe të afërta me Al Kaedën, që veprojnë në Gadishullin Arabik.

Në një komunikatë për shtyp të shpërndarë nga Departamenti i Shtetit thuhet se, qytetarët amerikane vazhdojnë të jenë objektiva potencialë të sulmeve terroriste.

“Sipas informacioneve të fundit, Al Kaeda dhe organizatat bashkëpunëtore të saj po planifikojnë atentate dhe mund t’i fokusojnë përpjekjet e tyre në periudhën nga sot deri në fund të gushtit”, theksohet në komunikatë.

Për rrjedhojë, paralajmërimi mund të zgjasë për gjithë muajin në fjalë, që është edhe periudha e kulmit të sezonit turistik. Një zëdhënës ka shtuar se të hënën do të vendoset nëse ambasadat do të vazhdojnë të rrijnë të mbyllura edhe më pas apo nëse do t’i kthehen punës normalisht.

Përveç kësaj, për qëllime sigurie, janë vënë në gatishmëri repartet e ndërhyrjes së shpejtë të ushtrisë amerikane, të vendosur në bazën e Sigonelës, në Itali dhe atë të Rotës, në Spanjë.

Masa në fjalë zakonisht aplikohet kur ka rrezik për atentate terroriste apo për ngjarje që mund të vënë në rrezik sigurinë e personelit të ambasadave, qytetarëve të thjeshtë, apo të biznesmenëve dhe turistëve amerikanë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA