8 vjet e gjysmë pasi iu bashkua Partisë Demokratike si një nga figurat e reja të saj, Lulzim Basha hyri të martën në këtë seli si kryetar i Partisë Demokratike, sërish në opozitë.
I zgjedhur pas dorëheqjes së Sali Berishës, me mekanizmin “një anëtar një votë”, Lulzim Basha, bëri dy falenderime të vecanta, njërin për anëtarësinë e partisë dhe tjetrin për rivalin Sokol Olldashi.
Kur bëri këtë, zoti Basha tregoi kujdes për të theksuar se kjo ishte jo vetëm një garë reale, por ishte edhe gara e parë e vërtetë në Shqipëri sipas parimit “një anëtar, një votë”.
“Falenderoj Sokol Olldashin, kandidatin tjetër për kontributin e tij në këtë garë, e cila dëshmoi para mbarë shqiptarëve vlerat e patjetërsueshme dhe unike të Partisë Demokratike. Në këtë garë ishim dy kandidatë që shpalosëm vlerat, vizionet dhe vullnetet tona respektive para mijëra anëtarëve. Por në fillim, gjatë dhe në përfundim të kësaj gare ne nuk harrojmë për asnjë çast se jemi të gjithë demokratë, anëtarë të një familje të madhe, krenare për identitetin dhe trashëgiminë tonë politike, më të vendosur dhe më të bashkuar se kurrë”, tha Basha.
Në fjalimin e tij të parë si kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha garantoi demokratët për ringritjen e shpejtë nëpërmjet një opozite të fortë, që do të ketë në themel respektimin e zërit të anëtarëve të saj dhe interesit të qytetarëve.
“Do jemi çdo ditë, kudo, në çdo anë të vendit me qytetarët, elitat lokale, mediat, në mbrojtje të interesave publike, në krah të çdo qytetari që ndjehet i cënuar nga pushteti politik i votës së deformuar e vjedhur dhe besimit të përdhosur të 23 qershorit. Le ta nisim pra vëllezër dhe motra, zonja dhe zoterinj, rrugëtimin tonë të ri së bashku. Jo vetëm si një opozitë e fortë dhe të vendosur në mbrojtje të interesave të tyre, por t’i japim vendit alternativën e shpresës dhe forcën ta mbyllë tranzicionin pas përballjes me këtë qeverisje të veseve të vjetra”, shtoi Basha.
Me kë do ta ndërtojë Lulzim Basha fillimin e ri në Partinë Demokratike? Kjo pyetje do të marrë përgjigje pak më vonë. Por ajo që pohoi ai, pa hezitim, ishte bashkimi i të gjitha përvojave 23-vjeçare të Partisë Demokratike duke vlerësuar, veçanërisht, liderin historik të saj, Sali Berisha.
“Do të mbështetem tek vizioni, kurajo dhe qëndresa e themeluesve, e Azem Hajdarit dhe qëndrestarëve të tjerë. Do të mbështetem tek energjia e pamatë e anëtarëve dhe militantëve tanë të paepur, tek përvoja e dhjetëra drejtuesve të Partisë Demokratike sot dhe ndër vite. Do të mbështetem tek pasuria e paçmueshme e vlerave të lidershipit historik të Sali Berishës”, tha kreu i ri i demokratëve.
Zoti Basha u prit dhe u përcoll nga demokratët me duartrokitje, por më herët në këtë seli kishte qenë kryetari i dorëhequr, Sali Berisha, i cili ishte i pari që i uroi publikisht fitoren pasardhësit të tij. Një urim që u shoqërua gjatë gjithë kohës me brohoritjet e njohura, sa herë që pranë Sali Berishës ndodhen demokratë.
“I uroj suksese kryetarit të ri të Partisë Demokratike, liderit të saj Lulzim Basha”, tha Berisha.
Zoti Berisha nuk u përpoq të fshehë pushtetin që ai ka mbi demokratët, edhe pasi ata kanë zgjedhur kryetarin e ri dhe kur u pyet nëse zoti Basha do ta ketë apo jo të vështirë të jetë kryetari real i Partisë Demokratike nën peshen e hijes së Sali Berishës, ai u përgjigj:
“Në çdo detyrë që kam qenë, kam mbetur ai që kam qenë. Një njeri që punon. Kështu që e vetmja gjë që kush s’duhet të ketë, asnjë prokupim se çfarë do të bëjë ky njeri këto kohë që vijnë. Do të zhvilloj një betejë të gjithanshme, të fuqishme këtij pushteti që doli nga krimi dhe ju doli dëshmitar. Do të zhvilloj një betejë të gjithanshme dhe të fuqishme këtij pushteti që bllokon numërimin e votave, pasi është faktuar se ka në shpinë thesin me vota të vjedhura. Unë me ushtrinë e madhe të demokratëve do të eci përpara. I bindur që unë kam dhënë dorëheqjen në mënyrën më të vendosur dhe për asnjë sekondë nuk kam shprehur keqardhje nga dita që e kam shpallur publikisht”, tha Berisha.
Zoti Berisha pohoi që në fillim se me listat ka patur probleme, për të cilat, sipas tij kandidatët ishin në dijeni me herët dhe e kishin pranuar këtë fakt. Megjithate, ai e vlerësoi procesin demokratik, të civilizuar, duke i dhënë të drejtë vetes për vendimin e marrë, që kryetari i ri të zgjidhej nëpërmjet mekanizimit “një anëtar, një votë”.
“Kur ndodh një fenomen i papritur siç ishte dorëheqja ime, nuk mund të pretendonim të kishim regjistrin më të përsosur. Dhe midis asaj që Partia Demokratike duhej të ngrihej me shpejtësi në këmbë dhe asaj tjetrës që të ndërmerrej një proces i zgjatur burokratik për listat që do të shkonte në infinit, unë zgjodha të parin. Dhe faktikisht 41 mijë votues, u faktua që kisha të drejtë dhe opsionin që zgjodha”, deklaroi ish-kryetari i PD-së.
Zoti Berisha shprehu bindjen se zgjedhja e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike “mund të vlerësohet, sic tha ai, një fillim i shkëlqyer i një fillimi të ri. Dhe këtë bindje ai përforcoi duke e theksuar disa herë, megjithë kritikat e kandidatit tjetër, Sokol Olldashi për deformim të procesit zgjedhor, me fletë votimi që mund të identifikonin votën apo “sic u shpreh zoti Olldashi, me më shumë se sa një kandidat rival.
“Lidhur me komentet e zotit Olldashi, ju duhet të pyesni zotin Olldashi. Ajo çka unë mund t’ju them ju, ky është një votim i fshehtë dhe nuk ka qoftë edhe një anëtar të vetëm të Partisë Demokratike që të vënë në diskutim fshehtësinë e votimit. Ky votim është zhvilluar në përputhje të plotë me rregullat e votimit të fshehtë. Çdo fletë votimi ka një numër që vendoset aty për t’u verifikuar, sepse numri është i domosdoshëm për t’u ditur se janë fletët reale apo janë të tjera. Kjo është. Gara ka qenë një garë e shkëlqyer”, deklaroi Berisha.
Olldashi: Nuk kishte garë!
Kandidati për postin e kryetarit të Partisë Demokratike Sokol Olldashi, e cilësoi procesin zgjedhjes së kryetarit të ri, si të deformuar, duke lënë qartazi të kuptohet se rezultati ka qenë i paracaktuar. Zoti Olldashi numëroi të gjithë problematikën e hasur ditën e votimit, për të argumentuar kete kritike te forte per kete proces.
“Zgjedhja e kreut të ri të PD u bë përmes një procesi të deformuar. Në asnjë çast, nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe për më tepër në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Unë garova pa patur një informacion për korpusin e votuesve. Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjetën emrat në lista, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit për kryetarin e Partisë Demokratike të anëtarësohen edhe në parti”, tha Olldashi.
Per zotin Olldashi ne proces, ndryshe nga sa ishte premtuar nga kryetari Berisha, ka patur nderhyrje te zyrtarëve të ndryshëm dhe nuk kanë munguar as përjashtimet sipas tij te njeanshme.
“Procesi për të cilin m’u dhanë të gjitha garancitë që do të ishte jashtë ndikimi,në fakt nuk mbeti asnjë ditë i tillë. Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë lokalë u përfshinë në të, në mënyrë tërësisht të njëanshme. Ndërkohë që cilido që shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favorin tim u pezullua, gjë që ndodhi me ndonjë kryetar lokal të PD-së, u përjashtua siç ndodhi me anëtarë të PD-së në Korçë dhe në Shkodër, apo u pushua nga puna, siç ndodhi me drejtues rajonalë të korporatave në Sarandë apo në Vlorë”, tha Olldashi.
Zoti Olldashi premtoi megjithate vijimin e punes per te ruajtur vlerat siç ai tha, te Partise Demokratike dhe gjithe mbeshtetesve dhe anëtareve te saj. Por mbetet interesante te shihet se cila do te jete marredhenia e zotit Olldashi dhe perkrahesve te tij ne parti dhe Parlament me lidershipin e ri te PD dhe ish-kryetarin Sali Berisha.
Top Channel