Nëna e Alketës: Tri ditë para vrasjes, Iliri e rrahu

17/07/2013 00:00

Vrasja e Alketa Canit, e cila u ekzekutua pasditen e së hënës, ka qenë e
paralajmëruar. Prindërit e të ndjerës, Rustem dhe Fluturie Agalliu
thonë se tri ditë para se ta vriste, Ilirjani e ka rrahur bashkëshorten e
tij në banesë. Kjo nuk është hera e parë që ai ka ushtruar dhunë mbi
nënën e dy fëmijëve të tij, por disa vite më parë, ai e ka rrahur
barbarisht 35-vjeçaren, e cila atëherë kishte përfunduar në spital.

E ndjera nuk ka pasur guxim që ta linte 40-vjeçarin, pasi ai e ka kërcënuar me jetë, nëse do e bënte një veprim të tillë. Të afërmit e Alketës janë mjaft të zemëruar me aktin barbar që Ilirjan Cani ka bërë ndaj bashkëshortes së tij.

“Ai nuk sillte kurrë para në shtëpi. Gjithçka që fitonte, i harxhonte duke pirë. Nuk e dija që edhe e dhunonte, sepse Keta nuk na kishte treguar gjë. Sa herë që ata e shikonin të nxirë në trup, ajo u thoshte se është vrarë pa dashje. E dinim që ishin shumë të varfër. Ti nuk e di se çfarë do të thotë që fëmija i vogël të kërkojë bukë për të ngrënë dhe nuk ke asgjë për t’i dhënë. Ata fëmijë kanë rënë në gjumë shumë herë pa bukë”, shprehen të afërmit e 35-vjeçares.

Më e rëndë situata është për djalin e vogël 3-vjeçar, i cili kërkon nënën e tij. “Djali i madh e kuptoi që ia kishin vrarë të ëmën, sepse ai është 13 vjeç, nuk mund t’ia fshihnim. Është një tmerr i vërtetë që ta shohësh fëmijën në atë gjendje. Ndërsa i vogli, është vetëm 3 vjeç. Ai qan vazhdimisht për të ëmën, sepse e kërkon. Nuk dimë se si do ia themi. Është gjëja më e rëndë në këtë pjesë të tragjedisë”, shprehen ata. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, nëna e viktimës, Fluturie Agalliu, ka treguar me detaje të gjithë historinë e jetës së vështirë të Alketa Canit.

Keni qenë në dijeni të problemeve mes çiftit?

Unë gjithmonë e kam ditur që Ilirjani ma dhunonte vajzën. Jeta e sime bije ka qenë mjaft e vështirë dhe ajo ka duruar shumë prej atij njeriu. Ai pinte vazhdimisht, por tre vitet e fundit e tepronte jashtë mase dhe nuk sillte asnjë lek në shtëpi. I kishim ndërprerë marrëdhëniet me atë njeri. Vajza ime rropatej poshtë e lartë, për të nxjerrë lekë në shtëpi. Punonte me orare të zgjatura, që të rriste fëmijët.

I ke thënë ndonjëherë që ta linte?

Nuk i kisha thënë, sepse nuk doja që t’ia ushqeja vajzës një ndjenjë të atillë. Ajo kishte dy djem për të rritur. Keta ka ndenjur me të shoqin për hir të fëmijëve. Pastaj ai e kishte kërcënuar se nëse do e linte Keta, ai do e vriste. Ia kishte frikën shumë atij njeriu, sepse ai ishte shumë i dhunshëm, pijanec ordiner.

Djali juaj jetonte ngjitur me shtëpinë e Alketës. Përse nuk e ka ndihmuar?

Im bir nuk e ka ditur këtë gjë. Para tre vitesh ai e rrahu time bijë shumë keq. E çoi për në spital. Im bir shkoi për t’u sqaruar dhe gjendja u acarua shumë keq, saqë u përleshën me njëri-tjetrin. Iliri i theu nofullat tim biri dhe që prej asaj kohe nuk i thamë më asgjë. Vetëm unë isha në dijeni që vajza ime dhunohej sërish prej Ilirit. Keta më kishte kërkuar që të mos i tregoja askujt, sepse nuk donte të shkaktonte konflikte dhe unë e respektova vendimin e saj.

Kur ka ndodhur konflikti i fundit mes tyre?

Sa herë që Iliri pinte, ai atë punë bënte. E dhunonte vazhdimisht time bijë. Tri ditë para se ta vriste, ai e kishte rrahur. I thashë që ta denonconte në polici, por ajo më tha se nëse do të ndodhte sërish, atëherë do t’i kërkonte ndihmë policisë. Ishte tepër vonë, sepse nuk pati më rast, sepse ai i mori jetën. Armën e krimit e mbante pa leje në shtëpi.

Ju si e morët vesh lajmin?

Unë isha në plazh me fëmijët e Ketës dhe njerëzit e tij më morën në telefon. Më thanë që të nisesha direkt për në Tiranë, sepse vajza nuk ishte mirë me shëndet. Kur shkova, ata më thanë që çdo gjë kishte marrë fund, sepse Iliri e kishte vrarë.

Çfarë kërkon?

Dua që drejtësia të bëjë punën e saj. Iliri duhet të dënohet maksimalisht për atë që bëri dhe të mos shohë dritë dielli me sy, ndërkohë që vajza ime kalbet nën dhe. Unë nuk e fal kurrë atë njeri se i mori jetën vajzës. Fëmijët e saj do t’i rris unë dhe nuk do t’i lë që ai t’i shohë më me sy. Janë fëmijët e vajzës sime dhe ai nuk ka më punë me ata.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA