Londër, mikrofon-spiun në ambasadën e Ekuadorit

04/07/2013 03:40

Ekuadori u ka bërë thirrje autoriteteve britanike për ndihmë hetimore, pasi zyrtarë të ambasadës së vendit amerikano-jugor në Londër gjetën një pajisje sekrete regjistrimi, të vendosur brenda ndërtesës së tyre.

Një “mikrofon spiun” u gjet brenda zyrës së ambasadorit ekuadorian më 14 qershor, njoftoi ministri i Jashtëm ekuadorian, Ricardo Patino, për reporterët, gjatë së mërkurës. Ai ishte fshehur brenda një kutie të vogël të bardhë, në brendësi një pajisjeje elektrike, pjesërisht e mbuluar nga një raft librash.

“Ky zbulim – tha Patino, – na shqetëson seriozisht. Kemi kërkuar ndihmë nga qeveria britanike për të vazhduar me hetimet mbi pajisjen e gjetur”. Pasjisja, sipas tij, përmbante një kartë SIM dhe ishte dizenjuar për të transmetuar bisedime private, që ndodhnin brenda ambasadës. Autoritetet ekuadoriane besojnë se objekti ishte vendosur aty prej javësh.

Ai u gjet 2 ditë përpara planifikimit të mbërritjes së Patino-s në ambasadë. Ministri tha se autoritetet “kanë dyshime”, të cilat sugjerojnë se një kompani private survejimi e Britanisë është përfshirë, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Veç shërbimit si një zyrë për zyrtarët ekuadorianë jashtë vendit amerikano-latin, ambasada ka qenë gjithashtu, për më shumë se 1 vit, “shtëpia” e themeluesit të Wikileaks, Jualian Assange, i cili ka përfituar azil nga Ekuadori në gusht dhe rrezikon të arrestohet, nëse del nga ajo ndërtesë.

Lajmi vjen pak kohë pas debatit mbarë botëror mbi programet survejuese amerikane, përfshi raportet se Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) ka përgjuar edhe zyrat diplomatike. Ai vjen gjithashtu edhe në momentin kur Ekuadori luan një rol kyç në lojën e “gjuetisë” globale mbi hapat e ardhshme të Edward Snowden, ish-kontraktori i NSA-së, i cili është arratisur pasi pranoi se kishte nxjerrë disa dokumenta sekrete mbi programet amerikane të survejimit.

Snowden ka kërkuar azil nga Ekuadori gjithashtu, mes kërkesave të drejtuara në 20 vende të tjera. Patino tha të mërkurën se vendi i tij është ende duke shqyrtuar kërkesën e tij.

I pyetur nëse prezenca e Assange brenda Ambasadës Ekuadoriane e ka ekspozuar ndërtesën ndaj risqeve më të mëdha, Patino pranoi se prezenca e tij e ka vendosur ambasadën në vëmendjen e të gjithëve.

“Sigurisht, ka shumë risqe, por ne kemi vendosur të përballemi me to, për sa kohë që bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, u shpreh ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA