Bayern shkatërron 4-0 Barça-n

23/04/2013 23:50

Bayern Munchen fundosi Barcelona-n në “Allianz Arena” dhe hedh një hap thuajse të sigurt drejt finales së “Wembley”-t.

Bavarezët e Juup Heynckes shkatërruan 4-0 ish-skuadrën e Guardiola-s, trajneri që do të drejtojë gjermanët sezonin e ardhshëm.

Bayern-i ishte shumë më mirë se Barça, e cila me këtë zhgënjim konfirmoi se po kalon momentin më të keq në këto vitet e fundit, gjatë të cilave ajo ka bërë histori në futbollin europian.

Përpjekjet e vendasve u shpërblyen në minutën e 25-të, kur Muller zhbllokoi rezultatin. U mendua se Barça do të bënte kthesën, por Messi, i kthyer nga dëmtimi, ishte i pafuqishëm të çonte skuadrën drejt portës bavareze.

Vilanova nuk ndryshoi asgjë në pjesën e dytë, ndërkohë që 4 minuta nga rifillimi, Bayern dyfishon rezultatin me anë të Gomez.

Gjuatja e parë e Barça-s në portën e Bayern-it bëhet në minutën e 69, por edhe atëherë Bartra ishte i pasaktë, duke e çuar topin te tifozët prapa portës.

Në minutën e 73, Robben shënoi golin e tretë, pas një faulli të padhënë të Muller ndaj Jordi Alba-s.

Në të 82-tën, Alaba dha një asist për Muller-in, i cili shënoi golin e dytë personal dhe të 4-tin për Bayern-in në këtë sfidë.

Vilanova u tregua i pafuqishëm si trajner, të ndërhynte dhe të ndalte zhgënjimin e Barça-s, skuadër e cila do ta ketë pothuajse të pamundur të përmbysë rezultatin në “Camp Nou”.

Top Channel