Hanes Swoboda, kreu i grupit parlamentar të majtë në Parlamentin Europian, ka bërë një deklaratë të fortë kur ka thënë se kryeministri Berisha duhet të largohet nga vota e shqiptarëve më 23 qershor, duke e argumentuat këtë me bllokimin e integrimit të Shqipërisë.

“Së pari, jam shumë i kënaqur të takohem përsëri, ashtu siç jemi takuar shumë shpesh gjatë muajve të fundit, me Edi Ramën, kryetarin e Partisë Socialiste. Shoh te ai tani liderin e opozitës, por dhe kryeministrin e ardhshëm. Ky është mesazhi im. Ju duhet ta bëni të mundur tani të ndryshoni drejtimin e vendit. Berisha dhe qeveria e tij kanë bllokuar tanimë për shumë e shumë vjet edhe fillimin e negociatave për integrimin dhe njerëzit duhet të jenë të motivuar të shkojnë në zgjedhje të votojnë”, ka deklaruar Swoboda, i cili ka dhënë garancinë e tij për kujdesin e PE për zgjedhjet e 23 qershorit.

“Ne do të bëjmë ç’është e mundur nga pala evropiane të kontrollojmë zgjedhjet në kuptimin që të jetë një votim korrekt, sipas ligjit, mos jetë i keqpërdorur, sepse për një herë të vetme ne duam zgjedhje të qarta dhe korrekte dhe sigurisht zgjedhje me një votë të qartë të qytetarëve për të ndryshuar drejtimin e vendit, për të luftuar realisht korrupsionin, për të luftuar vërtet për kohezion social. Është kaq e rëndësishme, sa njerëzit duhet të përdorin këtë mundësi dhe të votojnë”, ka thënë eurodeputeti.

Këtë deklaratë Swoboda e ka bërë pas një takimi me kreun e opzitës Edi Rama, në selinë e Parlamentit Europian në Bruksel. Nga ana e tij, krysocialisti shqiptar është shprehur se ka marrë garanci që Europa do të garantojë zgjedhje të lira në Shqipëri.

“Është gjithmonë e më e qartë se ka një vetëdijësim shumë të posaçëm të të gjithë komunitetit ndërkombëtar, të të gjitha forcave që janë me sytë nga Shqipëria, institucione, parti, për të garantuar ndryshimin përmes votës. Për të garantuar që shqiptarët të mund të vazhdojnë në rrugën e integrimit me një qeveri të dalë nga vota e lirë dhe sigurisht me një qeveri e cila të ndryshojë drejtimin e vendit”, ka thënë Rama.

“Është përditë e më e qartë për të gjithë se pse Shqipëria ka ngecur, se kujt i takon përgjegjësia për ngecjen e saj dhe se Shqipëria duhet të rifillojë rrugën e saj drejt perspektivës europiane përmes votës së lirë dhe përmes zgjedhjeve që të ndajnë këtë të shkuar që vazhdon me të ardhmen që është prapa derës”, ka vijuar lideri i opozitës shqiptare.

Top Channel