Pas shumë shtyrjesh, kryeministri britanik David Cameron mbajti fjalimin e paralajmëruar për Europën. Mesazhi i tij ishte i qarte: për qendrimin e Britanisë së Madhe në BE do të vendoset në një referendum popullor.
Në mendimin e ekspertëve, ai i kreut konservator të ekzekutivit britanik, ishte një fjalim parimor mbi raportin e vendit të vet me BE-në. Në fillim Cameron e bëri të qartë se pa një reformim të Bashkimit Europian, Britania do të gjendet e detyruar të dalë nga unioni. Sa për referendumin që u zotua ta organizojë në rast rizgjedhjeje legjislaturën e ardhshme, ai do të mbahet pak pas konstituimit të parlamentit të ri, pra maksimumi në fund të 2017-ës.
“Është koha që populli të thotë fjalën e tij. Është koha ta zgjidhim cështjen e Britanisë dhe Europes. Unë u them britanikëve: ky do të jetë vendimi juaj”, tha Cameron.
Programi i ardhshëm elektoral i konservatorëve në 2015-ën do t’i kërkojë popullit britanik një mandat për për të negociuar me partnerët europianë një marrëveshje të re. Britanikët sipas kryeministrit, do të jenë përpara një “zgjedhje shumë të lehtë”: ose ta pranojnë rezultatin e negociatave ose të largohen plotësisht nga blloku.
Konservatorët nga partia e Cameron, të cilët kërkojnë një marrëdhënie më pak të ngushtë me BE-në, e përshëndetën njoftimin për rinegociim me BE-në dhe mbajtjen e referendumit. Ndërsa laburistët e kritikuan Cameronin si “kryeministër të dobët që drejtohet nga partia e tij”.
Franca dhe Gjermania: BE s’është menu zgjedhjeje
Franca dhe Gjermania reaguan menjëherë pas fjalimit të kryeministrit britanik David Cameron me paralajmërimet se Londra nuk mund të zgjedhë se cila pjesë e anëtarësimit në BE i pelqen e cila jo. Europa ka nevojë sot për më shumë integrim, e jo më pak, tha shefi i diplomacisë gjermane, Guido Vestervele.
“Gjermania dëshiron që Mbretëria e Bashkuar të mbetet pjesë aktive dhe konstruktive e Bashkimit Europian, por të zgjedhësh se cila pjesë e anëtarësimit të pelqen, ky opsion thjesht nuk është në tryezë”, reagoi kryediplomati gjerman.
Në të njëjtën linjë ishte dhe ministri francez i Çështjeve Europiane, Bernard Cazeneuve.
“Është gjithmonë i lodhshëm parashtrimi i cështjes europiane me qëllime elektorale. Ajo që ne vërejmë në fjalimin e David Cameron është se shtron perspektivën e dëshirës për të qendruar në BE. Por blloku europian nuk është një marrëveshje me zgjedhje në menu”, tha ai.
Londra zyrtare kërkon prej kohësh të rinegociojë disa marrëveshje të BE-së, si në fushën e drejtësisë. Megjithatë për Britaninë e Madhe me problemet e saj të borxhit, largimi nga blloku mund të rezultojë në një goditje të fortë ekonomike. 50 për qind e eksporteve britanike shkojnë në vendet e Bashkimit Europian dhe një sërë kompanish ndërkombëtare e përdorin Londrën si urë për në BE.
Top Channel