Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, me seli në Strasburg, ka miratuar me 115 vota pro dhe 11 kundër, një rezolutë për Kosovën, e cila kërkon forcimin e sundimit të ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Sipas “REL”, raportuesi i KiE për Kosovën, Bjoern von Sidow, në raportin e tij të paraqitur në seancën plenare ka thënë se, në dy vitet e fundit në Kosovë kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme në kuadër të stabilitetit politik dhe zbatimit të reformave.

Por ai ka nënvizuar se është e domosdoshme që të ketë përpjekje më të mëdha për përmirësimin e funksionalizimit të institucioneve demokratike, veçanërisht të Kuvendit të Kosovës, dhe  për një punë më efikase në administratën publike dhe sistemin e drejtësisë.

“Ekziston një mungesë e përgjithshme e sundimit të ligjit në Kosovë. Korrupsioni është i pranishëm në mbarë vendin, në nivele të ndryshme. Kjo ndërlidhet me drejtësinë. Sundimi i ligjit duhet të përmirësohet dhe duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë”, ka thënë Sidow, gjatë punimeve të seancës.

Sipas tij, “sfida më e madhe në Kosovë është zbatimi i të drejtave të njeriut dhe sundimit i ligjit, veçanërisht lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Ndërsa në aspektin pozitiv, Sidow ka veçuar dialogun ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë.

“Dialogu hap dritaren e mundësive për zgjidhjen e çështjeve thelbësore politike, bashkarisht me ato teknike. Jam i informuar se fare pak është zbatuar nga zotimet që janë dhënë dhe kjo është jetike, zbatimi i marrëveshjeve”, ka shtuar Sidow.

Këshilli i Evropës është një organizatë panevropiane që merret kryesisht me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. 34 nga 47 shtete anëtare të këtij institucioni e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Top Channel