Banka Botërore përgjysmoi vlerësimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë të këtij viti nga 1.6 në shifrën minimale 0.8 për qind.
Erjon Luçi, ekonomist i bankës në Tiranë tha se veç krizës globale, ekonomia është goditur edhe nga një faktor i brendshëm.
“Në parashikimet tona të bëra treguesi është ulur për shkak të problemeve të brendshme në këtë sektor, por edhe për probleme të tjera. Një faktor tjetër është energjia, ndikimet që ka kriza”, deklaroi Luçi.
Banka thotë se rënia e rritjes ekonomike në këto nivele godet familjet me të ardhura të ulëta, që kërcënohen nga një tjetër rrezik shtesë, i lidhur me çmimet e ushqimeve.
“Shqipëria mbetet një nga vendet më të rrezikuara nga çmimet e ushqimeve për shkak të peshës së lartë të shpenzimeve që ushqimet zënë në buxhetin e familjeve shqiptare”, nënvizoi Luçi.
Gjatë prezantimit të raportit për zhvillimet ekonomike në Europën juglindore, banka i kërkoi qeverisë të përshpejtojë reformat për të zbutur pasojat e krizës, duke filluar nga ato më urgjentet.
“Shumë vende në rajon kanë akumuluar borxhe të prapambetura ndaj sektorit privat dhe një nga hapat përshepjetuese është që këto detyrime të shlyehen sa më shpejt që të jetë e mundur. Është një çështje e menaxhimit fiskal, por gjithashtu është edhe një çështje e klimës së biznesit dhe investimeve të sektorit privat. Dhe kjo është një masë që nuk duhet shtyrë”, deklaroi Kseniyja Lvovski, drejtore e BB për Shqipërinë.
Edhe me këtë korrigjim të fortë në ulje, sipas bankës rritja ekonomike e Shqipërisë mbetet ende më e lartë se mesatarja e rajonit, i cili këtë vit ka hyrë sërish në reçesion me prodhimin që tkurret në -0.6 për qind.
Për vitin tjetër Banka Botërore vlerëson se rritja për Shqipërinë do të jetë 1.6 për qind, po aq sa mesatarja e rajonit.
Top Channel