Vazhdon rritja e borxhit

18/12/2012 00:00

Heqja e kufirit ligjor të borxhit po inkurajon rritjen e shpejtë të
detyrimeve të Qeverisë përtej parashikimeve. Në vetëm dy javë nga heqja e
kufirit, borxhi është rritur tre herë nga parashikimi duke
paralajmëruar një vit të vështirë për financat e vendit.

Pak ditë më parë Qeveria miratoi një Akt Normativ, që fillimisht e rriste borxhin publik me vitin 2012 me 7 miliardë lekë më shumë se parashikimi në Buxhet. Por Akti u ndryshua sërish në minutat e fundit duke i shtuar borxhit edhe 1.2 miliardë lekë të tjera përmes të cilave Qeveria do paguajë shpërblimin e tkurrur të fundvitit për pensionistët prej 2 mijë lekësh.

Për pasojë borxhi publik i vendit në fund të këtij viti shkon në 61.2 për qind e Prodhimit Kombëtar, ndërsa në 2013 me deficitin e parashikuar në buxhet ai nuk ndalet më tek kufiri 62.6 për qind siç pati pretenduar Qeveria, por shkon në 63.2. Këtu nuk përfshihen garancitë që do të jepen vitin e ardhshëm për Korporatën Elektroenergjetike, me të cilat shifra e borxhit mund të rritet minimalisht edhe 1 pikë përqindje më shumë.

Por edhe kjo shifër nuk është e sigurtë, në një vit zgjedhor dhe kur llogaritë e borxhit janë bërë mbi supozimet optimiste të qeverisë për rritjen ekonomike. Ekspertët patën paralajmëruar që në fillim se shfuqizimi nga parlamenti i ligjit që kufizonte huamarrjen e Qeverisë do inkurajonte rritjen e shpejtë të tij pa patur më një pikë orientuese. Një situatë që sipas tyre vë në rrezik stabilitetin financiar të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA