SHBA kritikojnë planin e Izraelit

01/12/2012 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar vendimin e Izraelit për të autorizuar ndërtimin e mbi 3 mijë ndërtesave të tjera në Jeruzalemin lindor dhe në Bregun Perëndimor.

Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton deklaroi se aktivitete të tilla kthejnë pas përpjekjet për arritjen e paqes. Vetë Shtëpia e Bardhë më herët e kishte cilësuar propozimin si joproduktiv.

Vendimi i Izraelit erdhi pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi pro ngritjes së statusit të Palestinës në shtet vëzhgues joanëtar. Mocioni i ditës së enjte mori 138 vota pro, 9 kundër dhe 41 abstenim. Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara votuan kundër propozimit.

Duke iu drejtuar një audience në Uashington, ku ishin të pranishëm ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak dhe ai i Jashtëm, Avigdor Lieberman, zonja Clinton tha se: “votimi duhet të na bëjë të mendojmë. Të gjitha palët duhet ta shqyrtojnë mirë rrugën që kanë përpara”.

Ajo tha se, palestinezët duhet të ishin bindur se negociatat me Izraelin ishin e vetmja rrugë për një shtet të pavarur.

“Ishte në interesin e Izraelit të bënte lëshime bujare kundrejt palestinezëve në Bregun Perëndimor, si një mburojë për sigurinë e vetë Izraelit, edhe pse për momentin nuk ka në horizont një marrëveshje gjithpërfshirëse”, tha Clinton.

Shefja në ikje e diplomacisë amerikane zhvilloi vonë gjatë së premtes bisedime me dy ministrat izraelitë, që po ndiqnin një forum në Uashington, si dhe me kryeministrin palestinez Salam Fayyad.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA