PE miraton rezolutën për Shqipërinë

22/11/2012 00:00

Komiteti i Punëve të Jashtme miratoi me 61 vota pro, 1 kundër dhe 2
abstenime, projektrezolutën për Shqipërinë. Fillimisht eurodeputet i
bëjnë thirrje Këshillit që t’i japë vendit statusin kandidat pa vonesa
të mëtejshme, me kusht përmbushjen e reformave kyçe të përcaktuara nga
Komisioni.

Në të njëjtën kohë, projektrezoluta shpreh shqetësim për progresin e ulët në gjyqësor dhe nënvizon rëndësinë e një gjyqësori të pakorruptuar, të pavarur dhe transparent. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 vlerësohen sërish të jenë një test i rëndësishëm i pjekurisë së demokracisë së vendit.

Eurodeputetët i bëjnë thirrje të gjitha forcave politike të zhvillojnë fushatë dhe zgjedhje të lira e të ndershme dhe të punojnë së bashku për të përmirësuar klimën politike në vend. Raporti i bën thirrje autoriteteve shqiptare të sjellin legjislacionin për zgjedhjet, lirinë e tubimit, lirinë e shoqatave, dhe lirinë e medias, në përputhje me standartet ndërkombëtare dhe ta zbatojnë atë plotësisht.

Gjatë votimit në Komitetin e Jashtëm u miratuan dhe amendamentet e Eduard Kukan për proçesin gjyqësor të 21 Janarit dhe për situatën e ish të burgosurve politikë. Raporti i përgatitur nga Nikolaos Chountis shpreh shqetësim të thellë edhe për nivelin e lartë, megjithëse në rënie, të papunësisë dhe për numrin e lartë të shqiptarëve që jetojnë ende nën kufirin e varfërisë.

Më shumë përpjekje kërkohen për të luftuar diskriminimin ndaj komunitetit rom, LGBT, dhe grupeve vulnerabël të shoqërisë.Raportet e Parlamentit Europian janë mbështetëse dhe këshilluese, megjithë gjuhën kritike për një pjesë të mirë të fushave kyçe në vend. Kjo rezolutë pritet të votohet në seancë plenare në muajin dhjetor në Strasburg, pas vendimit të Këshillit të Ministrave të BE – së për Shqipërinë.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA