Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, është takuar me ministrin e Jashtëm të Irakut, Hoshyar Zebari.

Zoti Zebari ka shprehur përkrahjen e shtetit të tij për Kosovën e pavarur, duke vlerësuar lart progresin e arritur në Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, njofton MPJ përmes një komunikate për shtyp.

Zebari po ashtu ka theksuar se autoritetet e Irakut po i përcjellin zhvillimet brenda Kosovës me vëmendje të madhe. “E dimë që shumica e vendeve islame dhe arabe e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se ju po bëni një progres të madh në proçesin e njohjeve”, ka theksuar ministri Zebari, duke ftuar ministrin Hoxhaj që të vizitojë Irakun.

Në anën tjetër, zoti Hoxhaj ka njoftuar homologun iraken me zhvillimet e fundit në Kosovë. Hoxhaj veçoi fuqizimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, duke kërkuar nga ministri Zebari që shteti i tij përmes njohjes së saj të kontribuojë në këtë proçes të rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin.

“Ne jemi të interesuar që për shkak të pozitës së rëndësishme që ka Iraku, me një traditë të gjatë historike dhe si një aktor i rëndësishëm politik në atë pjesë të botës, që jo vetëm të kemi njohjen zyrtare nga ai dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, por të kemi bashkëpunim të ngushtë në ekonomi, tregti, arsim, shkencë dhe kulturë”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA