Presidenti rus Vladimir Putin ka shkarkuar ministrin e Mbrojtjes të
Rusisë pasi u zbulua se dikasteri i tij ishte përfshirë në një skandal
korrupsioni.
Anatoly Serdyukov është zëvendësuar nga ministri i dikurshëm i Emergjencave dhe aleat besnik i Putin, Sergei Shoigu.
Agjencia kryesore hetimore ruse po heton shitjet e aseteve të Ministrisë së Mbrojtjes me çmime poshtë vlerës së tregut.
Presidenti Putin deklaroi se e kishte hequr zotin Serdyukov nga posti për të krijuar kushtet për një hetim të pavarur dhe transparent.
Muajin e kaluar, hetuesit rusë bastisën zyrat e një kompanie të lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes nën dyshimin se u kishte shitur asete firmave tregtare me një vlerë që ka shkaktuar 100 milionë dollarë humbje.
Marrëdhënia e zotit Serdyukov me një ish-ushtarak të lartë është gjithashtu pjesë e proçesit hetimor, raporton rrjeti informativ britanik, BBC.
I dërguari i BBC në Moskë, Steve Rosenberg deklaron se në gjashtë vjet që zoti Serdyukov ka qenë ministër është përpjekur të reformojë forcat e armatosura duke shkurtuar kostot dhe personelin për të nxitur efikasitetin.
Por reporteri shton se ish-ministri ka bërë shumë armiq gjatë drejtimit të Mbrojtjes dhe është përplasur madje me vjehrrin e tij, ish-zëvendëskryeministrin Viktor Zubkov.
Megjithatë, reporterët perëndimorë dyshojnë se shkarkimi mund të ketë ardhur pasi ministri ka bërë ndonjë veprim pas pasur “bekimin” e shefit aktual të Kremlinit.
Top Channel