Shumë vite pas ndarjes së tyre me qëndrime politike e publike, dikur dy drejtuesit më të lartë të vendit, Sali Berisha e Aleksandër Meksi janë bashkuar sërish.
Sebepi ka qenë promovimi i Albumit Fotografik për 100-vjetorin e Pavarësisë, ku ish-kryeministri i ’92-’97 është bashkëautor me Xhevair Lleshin. Nëse bashkëpunimi i tyre shkon përtej këtij aktiviteti, ky është ende hamendësim, por kreut të qeverisë iu rezervua në të një fjalim, të cilin Berisha ia kushtoi historisë.
Analiza historike e kryeministrit Berisha nisi nga periudha e Skënderbeut, duke kapërcyer kufijtë kohor të këtyre 100 viteve, duke i dhënë kësaj periudhe notat më të larta. Të njëjtin vlerësim, kreu i qeverisë i atribuoi edhe Ismail Qemalit.
“Ai e kuptoi se Shqipëria, kombi, mund të shpëtohej vetëm duke shpallur Pavarësinë dhe, duke pasur pothuajse gjithë botën kundër, ai vjen në Vlorë me një grup zyrtarësh shumë të paktë e shpall pavarësinë e vendit. Përsëri atë e përzënë dhe janë vite të tëra, për të cilat ne jo vetëm që nuk mund të mburremi, por edhe mund të turpërohemi me ato që bënin për Shqipërinë. Vetëm në Paris, ne kishim 5 delegacione gjoja për të përfaqësuar çështjen shqiptare, por që harbutërisht ziheshin njëri me tjetrin, në Konferencën e Parisit”, u shpreh kryeministri.
Ndryshe nga herët e tjera, kur në analizat historike të kreut të qeverisë nuk ka munguar kërkesa për ridimensionimin e figurës së Ahmet Zogut, që shpesh ka hasur polemika edhe mes rradhëve të historianëve, këtë herë ai është anashkaluar . Kreu i qeverisë vlerësoi këtë ekspozitë si dëshmuese të udhëtimit në 100 vite shtet të pavarur.
Top Channel