Presidenti serb, Tomisllav Nikoliç ka deklaruar se kryeministri Ivica
Daçiç, i cili është edhe ministër policie, do të jetë kryenegociator në
bisedimet e ardhshme me Kosovën.
Lajmi është bërë i ditur gjatë emisionit politik të televizionit serb B92, të dielën në mbrëmje. Nikoliç ka theksuar se Daçiç duhet ta udhëheqë këtë ekip pasi Prishtina propozon Kryeministrin e saj, pra “kryeministri i qeverisë me kryeministrin e Qeverisë”.
Por, sipas presidentit serb, nëse do t’i kërkohet do të marrë edhe vetë përgjegjësi për bisedimet. Ai ka thënë se udhëheqësi i ekipit serb mund të ndodh që duhet të shtrëngojë duart me kryeministrin kosovar Hashim Thaçi, por personalisht nuk do ta bënte një gjë të tillë. Serbia, siç ka thënë presidenti, do të paraqesë platformën e saj për Kosovën dhe do të duhej ta mbështesnin të paktën 200 deputetë nga 250. Nikolliç ka vlerësuar se bisedimet dhe marrëveshjet e mëhershme kanë qenë të dëmshme, por tani çdo gjë do të shqyrtohet mirë dhe nuk do të ketë marrëveshje për marrëdhënie fqinjësore.
Top Channel