Akti i Qeverisë, debate te Ligjet

11/09/2012 00:00

Nisma për lirimin e banesave të ish-pronarëve, që Qeveria ka sjellë në
Kuvend për miratim është thjesht dhe vetëm në funksion të fushatës
elektorale.

Akuza e njëjtë u përdor reciprokisht nga të dyja palet ne Komisionin Parlamentar te Ligjeve, ku per te mbrojtur aktin normativ ishte i ftuar ministri i Transporteve dhe Puneve Publike Sokol Olldashi. Deputetet e opozites dhe ministri Olldashi replikuan ashper. Socialistet thane se qeveria nuk zgjidhi as çështjen e pronarëve dhe as ate te strehimit ne dy mandate, dhe me nismen aktuale po nxjerr ne rruge edhe qindra qytetare.

“Tërhiqeni aktin normativ, jepini kohë vetes, Qeverisë, jepini kohë edhe Kuvendit! Të diskutojmë dhe të gjejmë një zgjidhje. Gjejeni mënyrën, kufizoni vilat tuaja, kufizoni shpenzimet buxhetore për vila pushimi, gjejini shtëpi këtyre njerëzve dhe mos i coni në azil!” tha Tahiri.

“Strehimi është kompetencë e pushtetit vendor dhe mos spekuloni me përgjegjësitë e Qeverisë. Ju përmendni pleqtë që do u çokan në azil dhe harroni të thoni, që aty ka sponsorizues të mëdhenj të partisë tuaj, pronarë të pallateve të mëdha në Tiranë, që mbajnë shtëpi pronarësh të zëna, të mbyllura për turpin tuaj dhe të atyre që i mbajnë”, tha Olldashi.

Sipas Olldashit, qëndrimi i socialistëve ndaj këtij akti normativ ka të bëjë me qëndrimin e tyre ish-pronarëve.

“Ju po thoni groposini ish-pronarët prapë, lërini në bodrume prapë, sepse ai është votues i PS-së. Jo, zotërinj, nuk është kjo drejtësia, nuk është ky shteti. E keni klasor qëndrimin. E keni me atë që kryetari juaj tha tre vjet më parë në një emision televiziv kur i doli përpara një përfaqësues i pronarëve: ‘Qërrohu te partia jote, se ti s’ke punë këtu’, tha Olldashi.

“Nëqoftëse keni ndërmend të gjeni zgjidhje për ish-pronarët ne na keni këtu dhe jemi të gatshëm në cdo kohë t’i japim zgjidhje, sepse nuk ka të bëjë me ish-pronarët, nguliteni në mend këtë dhe mos abuzoni politikisht me këtë punë”, tha Tahiri.

Megjithe replikat dhe tonet e larta ne Komisionin e Ligjeve, Akti Normativ qe parashikon lirimin e 3157 banesave të zëna dhe kthimin e tyre tek ish-pronaret, u miratua vetem me votat e deputeteve te djathte.

Grupi i PS kundër aktit normativ

Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe ai i Korçës Niko Peleshi, të pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kundërshtuan aktin  normativ të qeverisë për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, që pritet të diskutohet në seancën parlamentare të së enjtes.

Sipas zoti Dako ky akt normativ realizon një zgjidhje të njënashme të problemit, ndërsa per Niko Peleshin kërkon t’i japë vecse një llustër kësaj çështje të mprehtë sociale.

“Ne nuk jemi kundra ish-pronarëve, t’i marrin ato shtëpi, t’i gëzojnë, por kërkojmë që të ketë një zgjidhje dhe një zgjidhje për të dyja palët. Unë mendoj që sot kërkohet që me ardhjen në pushtet të PS t’i jepet një zgjidhje përfundimtare këtij problemi. Kemi planet tona si bashki për t’i dhënë zgjidhje, dhe zgjidhja që ne ofrojmë është që t’u jepen shtëpi falas atyre që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve’, tha Dako.

“Duhet një politike e qartë për strehimin. Ajo që na serviret sot është vetëm një llustër, sepse deri dje ka ekzistuar kredia me interes 0. Nga disa dhjetëra aplikime ne Korcë, vetëm katër deri tani, dhe në proces është i pesti, në gjithë këto vitet e fundit, janë kualifikuar nga banka”, tha Peleshi.

Kreu opozitës Rama iu bashkua shqetësimit të zotit Dako dhe Peleshi.

“Ne në asnjë mënyrë nuk mund ta shohim me përbuzjen që e sheh Qeveria. Garantojme të gjithë pronarët, se PS është e qartë dhe e prerë në vizionin dhe në programin e saj për njohjen dhe vënien në vend të së drejtave të tyre të mohuara për 20 vjet”, tha Rama.

Totozani: Akti i Qeverisë, antikushtetues dhe diskriminues

Institucioni i Avokatit të Popullit e konsideron diskriminues dhe antikushtetues Aktin Normativ të Këshillit të Ministrave per lirimin e banesave të ish-pronareve nga qiramarresit, deri ne daten 1 nentor .

“Kjo çështje duhet të zgjidhet, duhet ta zgjidhë Kuvendi i Shqipërisë, sipas edhe orientimit dhe urdhërimit të Gjykatës Kushtetuese, por duhet zgjidhur në një mënyrë të tillë, që pronarët ta gëzojnë pronën e tyre dhe qiramarrësit të gjejnë një zgjidhje të përhershme, dinjitoze dhe jo diskriminuese. Akti i zgjedhur, mënyra e zgjidhjes së kësaj çështjeje, bie në disa drejtime në kundërshtim me Kushtetutën”, tha Totozani.

Sipas Igli Totozanit nuk ka nje studim te mirefillte sa familje te pastreha jetojne me qira në banesa të ish- pronareve, pasi shoqatat e tyre referojne shifra kontradiktore. Por nga ana tjetër Akti Normativ ne papajtueshmeri me Kushtetutën e Shqiperise shkel parimin e sigurise juridike.

“Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që është një detyrë e Kuvendit të Shqipërisë, që të mbushë këtë boshllëk ligjor dhe në rastin konkret, është një kompetencë që është marrë nga Këshilli i Ministrave. Akti ka edhe probleme të një natyre tjetër. Nuk ka një studim të thelluar të gjendjes reale. Akti Normativ nuk përligj kërkesat e nenit 101 të Kushtetutës, pra rastin e nevojës dhe urfgjencës për të marrë masa të përkohshme, sepse në të vërtetë ky nuk e zgjidh në mënyrë të përkohshme, por e zgjidh në mënyrë të përhershme cështjen, aq më tepër në një afat të shkurtër sic është data 1 nëntor. Me anë të një Akti Normativ, i cili në hierarkinë e akteve juridike është më poshtë se Kodi Civil apo Kodi i Procedurës Civile, i heq një kompetencë të rëndësishme Gjykatës së Shkallës së Parë dhe kjo është një gjë e papajtueshme me Kushtetutën”, tha Totozani.

Ky qendrim i institucionit te Avokatit te Popullit i eshte vene ne dispozicion kryetares se Kuvendit Jozefina Topalli, si dhe krereve te grupeve parlamentare.

Top Channel