Dinamo e Kievit hodhi një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit për në fazën e grupeve të Champions League, pas zhvillimit të pesë ndeshjeve të para kualifikuese mbrëmjen e së martës.
Skuadra ukrainase mundi Borusia Mynshengladbah në fushën e kësaj të fundit me rezultatin 3-1. Ekipi gjerman e nisi mjaft mirë ndeshjen, duke kaluar i pari në avantazh me Ring, që në minutën e 13.
Por, Dinamo e Kievit përmbysi gjithçka duke shënuar dy herë në portën e gjermanëve. Mihalik barazoi rezultatin në 1-1, ndërsa Jarmolenko i dha kryesimin skuadrës së tij. Në minutat e fundit të ndeshjes Dinamo e Kievit vulosi përfundimisht fitoren falë autogolit të Luk De Jong.
Në Danimarkë, Kopenhagen fitoi ndaj Lilës me rezultatin 1-0. Goli i fitores për skuadrën nordike u shënua në minutën e 38 të ndeshjes me anë të brazilianit Santin, ndërkohë që per t’u theksuar është një penallti e humbur e Paje në favor të Lilës.
Spartaku i Moskës mundi në ndeshjen e zhvilluar në kryeqytetin rus Fenerbahçen me rezultatin 2-1. Të tre golat e këtij takimi u shënuan në pjesën e dytë. Skuadra ruse kaloi e para në avantazh me anë të Emenike, por Fenerbahçe barazoi pas 6 minutash me Dirk Kajt.
Ekuilibri zgjati shumë pak, pasi Kombarov shënoi golin e fitores për Spartakun e Moskës.
Ndërkohë në dy ndeshjet e tjera të fazës së playoffit të Champions League, Selltik Glasgou fitoi me Helsinborg në fushën e këtij të fundit 2-0, ndërsa Bazeli u befasua përpara shikuesve te tij, pasi u mund nga skuadra rumune Kluzh me rezultatin 2-1.
Ditën e mërkurë, do të luhen pesë takimet e tjera, Malaga-Panathinaikos, Braga-Udinese, Dinamo Zagreb-Maribor, AEL Limasol-Anderleht dhe BATE Borisov-Ironi Kirjat Shmona.
Ndeshjet e kthimit të fazës së plejofit të Ligës së Kampioneve do të luhen në datat 28 dhe 29 gusht.
Top Channel