Rikthehen episodet e dhunës së periudhës së aparteidit në Afrikën e Jugut. Të paktën 18 persona mendohet se kanë gjetur vdekjen pas përdorimit të armëve të zjarrit nga ana e policisë vendase ndaj një grupi minatorësh që ndodheshin prej ditësh në grevë.
Ngjarja u regjistrua në jug të vendit në një minierë platini. Policia ka pranuar se është qëlluar me armë nga ana e saj por nuk ka bërë publike asnjë shifër për numrin e viktimave. Agjencitë vendase të lajmeve flasin për 18 të vdekur dhe frika për rritjen e këtij numri është e madhe pasi shumë minatorë protestues ndodhen në gjendje të rëndë si pasojë e plumbave të marrë.
Minatorët pezulluan punën dhe nisën protestën ditën e martë. Kërkesa kryesore e tyre ishte 3 fishimi i pagesës. Aktualisht, një minator në Afrikën e Jugut, që është prodhuesi i tretë më i madh në botë i këtij minerari të rrallë, paguhet nga 300 deri në 500 dollarë në muaj.
Protesta parashikohej të përfundonte ditën e premte, por policia ndërhyri duke përdorur fillimisht gazin lotsjellës, makina me ujë dhe shkopinjtë e gomës. Pasi sinjalizimeve se mes protestuesve kishte persona të armatosur me armë zjarri, forcat e rendit qëlluan me armë.
Nuk raportohet nëse mes viktimave të përleshjeve ka edhe kontigjentë të policisë dhe forcave të tjera të sigurisë të angazhuara në aksion.
Top Channel