Tërmet në Iran, qindra të vdekur

12/08/2012 08:30

Shërbimet e urgjencës civile në Iran janë duke kërkuar midis rrënojave të ndërtesave të shembura për të mbijetuar, pas dy tërmetesh të forta që kanë shkaktuar qindra të vdekur.

250 viktima janë konfirmuar deri tani e bilanci tragjik pritet të përkeqësohet, ndërsa lufta e ethshme për të nxjerrë të mbijetuar përshkallëzohet nga ora në orë.

Tërmetet me fuqi 6.4 dhe 6.3 të magnitudës rihter goditën në hapësirën midis Tabrizit dhe Aharit, në kufirin iraniano-iraken, në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës.

Mbi 2 mijë persona besohet se kanë mbetur të plagosur dhe dhjetëra mijëra janë të pastrehë. Në total, u regjistruan edhe 55 lëkundje të tjera pas dy tronditjeve kryesore.

Shërbimet e urgjencës civile janë duke shpërndarë ushqime, ujë, medikamente dhe tenda, por komunikimi dhe energjia është ndërprerë në disa zona të goditura, duke e bërë më të vështirë evakuimin.

Sipas Televizionin Shtetëror Iranian, zona më e goditur ishte ajo pranë qyteteve Haris dhe Varzaqan, me mbi 110 fshatra ku numri i shtëpive të shembura është midis 50-80% të të gjithë banesave.

Presidenti Mahmoud Ahmadinejad, nëpërmjet një komunikate drejtuar kombit, shprehu ngushëllimet për të gjithë familjet e viktimave, ndërsa i kërkoi autoriteteve që të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të shpëtuar jetët e personave nën rrënoja dhe për të zbutur sa më shumë vuajtjet e të dëmtuarve.

Irani shtrihet në një vijë të rëndësishme gjeologjike, duke bërë që të jetë i ekspozuar nga aktiviteti sizmik. Në vitin 2003, një tërmet i fuqishëm goditi qytetin e Bamit, duke lënë 25 mijë të vdekur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA