Partia Socialiste ka mbajtur qëndrim të ashpër kundër presidentit Bujar
Nishani, i cili me propozim të kryeministrit Sali Berisha shkarkoi nga
detyra shefin e Shërbimit Informativ Bahri Shaqiri dhe emëroi Visho Likës, ish-drejtor i kundërzbulimit në SHIK, në periudhen 93-97.
“Sali Berisha ka dy ditë që hesht. Hesht teksa dje shërbëtori i tij Bujar Nishani vërtetoi të gjitha dyshimet e opozitës. Dje presidenti i Republikës pushoi së qëni i tillë, kur pa asnjë mëdyshje, plotësoi ëndrrën e vjetër të Sali Berishës, për të vënë Shërbimin Sekret nën kontroll, njësoj si në vitin 1997. Nuk ka shqiptar, që të mos kujtojë makabritetet e SHIK-ut të Gazidedes, që për të mbajtur me pahir Saliun në pushtet,dhunoi, plagosi dhe vrau me qindra shqiptarë të pafajshëm”, tha deputetja socialiste, Ermonela Felaj.
Partia Socialiste ngriti si shqetesim edhe mungesen e bashkepunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Si mund të justifikohet që pas një debati dyvjeçar, mbi rëndësinë e pushtetit informativ, Sali Berisha dhe shërbëtori i tij Bujar Nishani nuk pyesin për askënd, madje as nuk denjojnë të këshillohen as me aleatin tonë më të madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është e patolerueshme. Sot më shumë se kurrë çdo shqiptar duhet të bashkohet me opozitën, për t’i dhënë vendit tonë një rilindje të vërtetë shqiptare, ku qeveria do të punojë për qytetarët, jo për familjen e Kryeministrit, ku drejtësia e pavarur, jo e gjunjëzuar para pushtetit”, tha Felaj.
Klosi: Shkarkimi i Shaqirit, shqetësues
Një ditë më parë shqetësim për shkarkimin e Shaqirit, shprehu edhe ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi.
Në një intervistë telefonike për VOA, Klosi ka komentuar edhe zgjedhjen e drejtorit të ri të shërbimeve sekrete, zgjedhje që sipas tij është bazuar në eksperiencën e kaluar të Visho Ajaz Likës.
“Unë e quaj të ngutur deklaratën e kryeministrit që thoshte se do ta hiqte kreun e SHISH dhe tani e hoqi. Këtu ka vend për një shqetësim të madh”, ka deklaruar Klosi.
“Eksperienca e drejtorit të sotëm në SHIK-un e Gazidedes është një nga parametrat që ka shërbyer për ta zgjedhur. Prandaj them se është për t’u shqetësuar. Ai dhe Berisha mund të bëjnë gjëra të frikshme”, ka vijuar ai.
Shqetësimi i SHBA për SHISH
Pas takimit me Presidentin e Shqipërisë Bamir Topi më 27 Janar të vitit 2010, ambasadori amerikan Xhon Withers do të niste me 29 Janar, pra dy ditë më vonë, drejt Uashingtonit një dokument konfidencial ku do të nënvizonte mes të tjerash presionin në rritje të Qeverisë Shqiptare ndaj Shërbimit Informativ Shtetëror.
Kabllograma i publikuar nga Wikiliks i referohet projekt/ligjit për shërbimet sekrete “si një kthim prapa në epokën e Enver Hoxhës”.
“Topi i bëri jehonë shqetësimeve të Ambasadorit për Ligjin e Shërbimit Sekret duke shtuar se një shërbim sekret i parashikuar në projekt/ligj i kujton atij Sigurimin e frikshëm të epokës komuniste.
“Megjithate, Topi pranoi”, shkruhet në dokument se zyra e tij nuk e ka marrë ende një kopje të draftit dhe ende nuk ka vlerësuar zyrtarisht të gjithë ligjin.
Top Channel