
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nëpërmjet një shkrimi të botuar ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, që këshilloi një traktat paqe midis Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Albin Kurtit, Kosova nuk mund të bëjë traktat pasi që nuk ka ushtri dhe një Traktat i Paqes ishte ai i marrëveshjes së Kumanovës ndërmjet NATO-s dhe Ushtrisë së Jugosllavisë.
Megjithatë, Kuçi rithekson se pas çdo konflikti mes dy shteteve është e domosdoshme që të vendoset për një traktat paqëje. Për më tepër, Kuçi ka shtuar se Kosova ka krijuar paqe me veten, por edhe me qytetarët serbë dhe se këtë do të duhej ta bënte edhe Serbia.
“Ajo çka mund të them është se Kosova i ka kaluar dy faza, fazën e mbijetesës që ka ardhur me lirinë e Kosovës dhe fazën e pavarësisë që ka ardhur me 17 shkurt 2008. Kosova duhet të fitojë paqen e përjetshme, harmoninë me qytetarët e vendit dhe paqen e përjetshme me fqinjët. Dhe po e them kështu jo duke harruar armiqësitë e të kaluarës, por për të krijuar paqe për brezat që do të vijnë. Dhe çdo vend në botë pas një konflikti ndërshtetëror përfundon me një traktat të paqes dhe vetëm atëherë ka kuptim paqja e përhershme”, tha Kuçi.
Sa i përket çështjes së rezolutës 1244, Kuçi tha se kjo rezolutë ishte e vlefshme vetëm deri në fuqizimin e kushtetutës. “Rezoluta 1244 ka luajtur një rol deri më 15 qershor të vitit 2008 nënkupton deri sa ka hyrë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, pastaj ka filluar që të bëhet pengesë në kuptimin e mandatit të UNMIK-ut dhe të tjerëve. Ajo rezolutë ka qenë e mirë për një kohë dhe tani është e papërdorshme dhe unë e them si jurist, kur një ligj nuk i përshtatet një populli, ndërrohet ligji e jo populli. Kosovës nuk i përshtatet rezoluta 1244. Për veriun e Kosovës vlen dhe duhet të vlejë kushtetuta e Republikës së Kosovës”,
Ndërkohë, mandati i Eulex-it pritet të zgjatet deri në vitin 2014 nëse një gje e tillë votohet në kuvendin e Kosovës me 2/3 e deputetëve.
Top Channel