Berisha përuron autostradën Levan-Vlorë

26/07/2012 18:40

Në përfundim të punimeve të autostradës Levan-Vlorë, kryeministri Berisha preu shiritin e inagurimit, në të njëjtën kohë që akuzoi indirekt opozitën, për mashtrim në pretendimet e saj se qarku i Vlorës është lënë në harresë nga qeveria.

“Sot inagurojmë një prej rrugëve më të rëndësishme dhe më të bukura në të gjithë Shqipërinë, që pavarësisht kostos së ulët për ndërtimin e saj, ka standarte të krahasueshme me ato të vendeve më të zhvilluara në botë”, deklaroi kryeministri, nga podium i vendosur në hyrje të rrugës.

“Kjo autostradë, e gjatë 24,5 kilometra, i ka kushtuar shtetit 60 milionë euro, që është një shifër shumë e lirë duke konsideruar parametrat. Në të mund të qarkullohet me 120 kilometra në orë shpejtësi, çka do të reduktojë edhe më shumë kohën e lëvizjes nga kryeqytet në Vlorë”.

Duke u ndalur tek investimet e kryera në të këtë qark, kryeministri shtoi se “gjatë qeverisjes sonë, në qarkun e Fierit dhe Vlorës, është bërë një volum investimesh i paprecedent në të gjithë historinë e Shqipërisë. Mes 900 kilometrave rrugë, kanaleve për vaditje, subvencioneve në bujqësi, investimeve në energji, shkolla, spitale dhe gjithçka tjetër, në këto vite të qeverisjes demokratike janë shpenzuar 1,2 miliardë euro, nga të cilat 500 milionë euro nga vetë buxheti i shtetit”.

Duke shmangur komentet për çështjet e imunitetit, që përbën debatin më të nxehtë politik të momentit, Berisha akuzoi socialistët “për mendësi komuniste”, që i pengon të vlerësojë progresin e Shqipërisë, ndërsa akuzoi gjashashtu kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjikën, për shkatërrimin e investimeve qeveritare. “Në Vlorë, me paratë e buxhetit të shtetit u ndërtua rruga “Transballkanike”, një prej bulevardeve më të bukur në vend, por që është katandisur në një gjendje të mjeruar nga bashkia vetëm sepse u ndërtua nga qeveria. Megjithatë, ne do të vazhdojmë të investojmë në Vlorë, projekti i by-pass që del në Tragjas është përfunduar, ndërsa së shpejti do të nisë të ndërtohet edhe shëtitorja buzë detit, një prej më të gjatave në rajon”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA