Kolorado, fundi tragjik i Jessica-s

20/07/2012 00:00

Në postimin e fundit në rrjetin social Twitter Jessica Ghawi ( e regjistruar me Jessica Redfield) shkruante: “Për 20 minuta nis filmi”. Më pas hyri në kinema…për të mos dalë më e gjallë prej andej.

Ky ishte fati tragjik i Jessicas, njëra nga 12 viktimat e çmendurisë së 24-vjeçarit James Holmes në mesnatën e premierës së serisë së re të “Batman” në Kolorado të Shteteve të Bashkuara.

Më shumë se të tjerat, historia e Jessica lidhej me faktin se një vit më parë ishte e mbijetuara e një sulmi të ngjashëm në Toronto të Kanadasë, që 2 qershorin e vitit të kaluar ndodhte në një qendër tregtare. Pas sulmit, Jessica një kroniste sportive që dashuronte futbollin dhe hokejin, do të deklaronte atëherë se ishte me shumë fat dhe se si një çisburger i kishte shpëtuar jetën.

“Vendosa të shkoja për të ngrënë një sushi aty pranë.Fillimisht u nisa për sushi, por në momentin e fundit ndërrova mendje dhe u ktheva të çisburgerat. Tre minuta më vonë ndodhi masakra tek pjesa ku shërbehej sushi. Pashë tmerrin me sy, njerëz të tmerruar që s’po kuptonin se cfarë kishte ndodhur”, deklaronte ajo.

Ndërkohë që po ato ditë, në Twitter do të shkruante: “E çuditshme se si jeta jonë është e gjithë në dorë të rastësisë. Ai moment me ndryshoi jetën, të gjithëve që ishim të pranishëm na ndryshoi jetën! Asnjëherë s’mund ta dimë se kur do të marrim frymë për herë të fundit”.

Fatkeqësisht, “rastësia” këtë herë nuk ishte me Jessica-n e cila mbeti e vdekur nga të shtënat në kinemanë e Kolorados, ndërsa personi me të cilin shoqërohej mbijetoi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA