Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e qeverisë mëngjesin e
së martës ka deklaruar se kanë mbetur edhe tri javë deri në përmbylljen
e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës.

Ndërkohë ai ka theksuar se ekzekutivi i vendit i ka kryer të gjitha detyrimet dhe se tani i mbetet Kuvendit të Kosovës që të kryejë detyrat e tij.

Shefi i qeverisë ka thënë se data 2 korrik është data kur do të mblidhet Grupi Drejtues Ndërkombëtar për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur dhe deri në atë kohë duhet të kryhen të gjitha detyrat.

Për më tepër, ai ka shtuar se përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë do të hapë axhendën konkrete evropiane për Kosovën.

Gjithashtu, në emër të qeverisë, Thaçi ka shprehur urimet më të mira për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, duke e uruar që të kryejë obligimet karshi kombit dhe atdheut.

Më herët gjatë muajit Gjykata Kushtetuese e Kosovës dha dritën e gjelbërt për fundin e pavarësisë së mbikëqyrur nga ndërkombëtarët.

Ky institucion ra dakord për 21 nga 22 amandamentet e propozuara nga qeveria, të cilat kishin të bënin me heqjen e kompetencave për praninë civile ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA