Rusi, Medvedev zgjidhet kryetar partie

26/05/2012 00:00

Partia në pushtet e Rusisë ka caktuar kryeministrin Dmitry Medvedev si liderin e ri të saj, në një kongres të mbajtur në Moskë.

Ish-presidenti pason në këtë detyrë ish-kryeministrin Vladimir Putin, që tani është rikthyer në kolltukun e Kremlinit.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se zoti Medvedev po e merr drejtimin e partisë në një kohë krize të thellë në radhët e saj.

Në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit, të shoqëruara me zëra për manipulime të shumta, partia Rusia e Bashkuar humbi një të katërtën e vendeve të saj në Parlament.

Medvedev, që u zgjodh pa asnjë kondërshtim nga anëtarët e tjerë të partisë, bëri thirrje për më shumë demokraci brenda saj dhe që të gjitha strukturat të zgjidhen me një votim të fshehtë.

Zyrtarët pranojnë se një revansh është mëse i nevojshëm në prag të sezonit të zgjedhjeve rajonale. Kryeministri tha gjithashtu se Rusia e Bashkuar duhet të ndryshojë me kalimin e kohës.

“Partia është shumë e vjetër dhe sistemi politik ka ardhur duke ndryshuar vazhdimisht, prandaj nuk do të jetë e lehtë. Kjo do të thotë se duhet të bëhemi gati t’u përgjigjemi të gjitha sfidave. Të mbajmë pushtetin, t’u përgjigjemi kritikave, të diskutojmë… Unë mendoj se të gjithë se bashku mund t’i arrijmë këto”, deklaroi Medvedev.

Korrespondenti i BBC në Moskë, Leonid Ragozin thotë se partia Rusia e Bashkuar ngjan më shumë me një rrjet politikanësh oportunistë, bizneset e të cilëve varen nga qeveria.

Pak ditë më parë, në Rusi u prezantua qeveria e re, e cila përbëhet kryesisht nga fytyra të vjetra, mes të cilave spikat ajo e ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov, ministrit të Mbrojtjes, Anatoly Serdyukov dhe e zëvendëskryeministrit Igor Shuvalov.

Vetë presidenti Putin u betua si kryetar shteti më herët gjatë muajit në një ceremoni madhështore, që pasoi me rrokadën me Medvedev, që mori drejtimin e ekzekutivit. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA