
Me tufa lule e qirinj në duar, dhjetra banorë të Himarës, gra dhe vajza i janë drejtuar sot vendit të tragjedisë ku humbën jetën 13 persona, 11 nga të cilat studente.
Banorët e Himarës me lotë në sy, kanë vendosur lulet në vendin ku vetëm pak orë më parë autobuzi doli nga rruga dhe përfundoi në greminë.
Nxënësit e shkollave të Himarës kanë vënë tufa me lule në vendin ku bashkëmoshatarët e tyre humbën jetën në këtë aksident.
Lutja e tyre është drejtuar nga dy klerikë të kishës ortodokse të Himarës që janë lutur për viktimat e kësaj tragjedie dhe është ndjekur nga dhjetra banorë të Himarës, por edhe kalimtarë që janë ndalur për pak minuta në këtë vend.
Ndërkohë në autobusin e tragjedisë ekspertët e policisë rrugore dhe prokurorisë kanë vijuar punën me ekspertizën për të mësuar shkaqet e kësaj tragjedie të rëndë.
Autobusi me 33 persona në bord ka ecur përgjatë kësaj rruge shumë të pjerrët dhe në një prej kthesave më të forta mjeti është përplasur e më pas ka dalë nga rruga.
Top Channel