Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar të hënën se rezultatet e zgjedhjeve në Serbi nuk do të kenë ndikim tek politika e Kosovës dhe tek pavarësia e saj.

“Zgjedhjet politike në Serbi janë për popullin serb. Ajo çka mund të them është se Kosova do të prodhojë paqe, stabiltet dhe fqinjësi të mirë me të gjithë”, ka thënë Kuçi, i cituar nga “REL”.

Ndërsa ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni është shprehur se Kosova nuk duhet të shqetësohet nga zgjedhja e presidentit të Serbisë.

Sipas tij, në raport me Kosovën politika e Serbisë nuk do të ndryshojë, pasi edhe presidenti i deritanishëm, Boris Tadiç, ka luajtur një politikë me mentalitet të vjetër ballkanas, pavarësisht se në komunitetin ndërkombëtar hiqej si demokratik.

“Nuk besoj që karshi Kosovës do të ketë ndonjë ndryshim thelbësor në qasjen e Serbisë, sepse bindja ime gjithmonë ka qenë se presidenti Tadiç ka qenë evropian në Bruksel, por në Beograd dhe në Ballkan ka qenë më shumë ballkanas”, ka thënë Hyseni.

“Sidomos karshi Kosovës, ai ka qenë po aq ballkanas sa edhe parardhësi i tij, me një dallim të vogël që ky nuk i përdori armët”, është shprehyr ish-shefi i diplomacisë kosovare.

Hyseni ka zgjedhur të mos bëjë parashikime se me kë president serb Prishtina zyrtare do ta ketë më të vështirë, por ka nënvizuar se kjo do të varet kryesisht nga vetë Kosova.

“Kosova fatkeqësisht nuk po sillet si shtet dhe kjo e bën më të lehtë që ajo të manipulohet nga politikat e Serbisë”, ka thënë më tej Hyseni.

Ndërkohë, presidentja Atifete Jahjaga, në reagimin e saj, ka vlerësuar se zgjedhja e presidentit të ri të Serbisë është një zgjedhje e vetë popullit serb, me të cilin Kosova synon të ndërtojë marrëdhënie fqinjësore korrekte.

“Ne jemi dy shtete të pavarura dhe sovrane që kemi pasur një të kaluar të rëndë, por shpresojmë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë”, thuhet në një deklaratë për shtyp të Presidencës kosovare.

Zonja Jahjaga i ka bërë thirrje presidentit të sapozgjedhur të shtetit fqinj, që të bëjë atë që paraardhësit e tij nuk e kanë bërë, të gjejë guximin dhe të ndërmarrë hapa për të vendosur marrëdhënie të mira dhe paqësore me Kosovën.

“Kjo do të ndihmojë që të dyja shtetet e pavarura të ecin në rrugën e integrimeve evropiane dhe që popujt e të dyja vendeve të ndërtojnë një të ardhme me prosperitet”, thuhet më tej në reagimin për shtyp. 

Top Channel