Kancelarja gjermane Angela Merkel po pret “krahëhapur” presidentin e ri francez Francois Holland, pavarësisht se gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale në Francë, ishte shprehur në mbeshtetje te Nicola Sarkozy-së.
“U thashë se i telefonova presidentit francez Holland dhe thamë se do të punojmë mirë së bashku. Do takohemi shumë shpejt pas inaugurimit të tij në Francë. Dhe më duhet të shtoj se Francois Holland do të pritet krahëhapur këtu në Gjermani dhe do të zhvillojmë bisedime intensive sepse bashkëpunimi franko-gjerman është esencial në Europë. Meqë ne deshirojmë që Europa të shënojë sukses, ky bashkëpunim do të nisë shumë shpejt”, tha Merkel.
Sa i takon Paktit Fiskal, një propozim franko-gjerman, me nismëtarë Merkel dhe Sarkozy, kancelarja gjermane ritheksoi se është i panegociueshëm. Gjatë fushatës, kandidati socialist kritikoi masat rripshtrënguese të Gjermanisë për krizën e borxhit në Europë, duke e vënë theksin te politikat që mbështesin rritjen ekonomike.
“Ne në Gjermani jemi të mendimit, sic jam dhe unë, që pakti fiskal nuk është i negociueshëm. Është negociuar dhe është firmosur nga 25 vende, i ratifikuar nga Greqia dhe Portugalia, në Ireland do të ketë një referendum më 31 Maj. Mendoj se pakti fiskal është ai i duhuri. Është qasja bazike në Europë që ne të mos ndryshojmë cdo gjë që u vendos, pas zgjedhjeve si në vendet e mëdha, ashtu dhe në të vegjlit. Nëse do të ishte kjo, atëherë nuk mund të punojmë në Europë”, u shpreh kancelarja gjermane.
Kancelarja gjermane foli për panoramën e komplikuar paszgjedhore në Greqi si dhe për rëndësinë e vlerësimit të rezultateve deri tani të arritura në këtë vend.
Top Channel