Në mungesë provash për veprën penale të terrorizmit, nga paraburgimi janë liruar 13 nga 20 personat e arrestuar më 1 maj nga policia maqedonase. Në paraburgim mbeten vetëm 3 të akuzuarit e drejtpërdrejtë për vrasjen e pesëfishtë si dhe 4 persona të tjerë që akuzohen për posedim armësh pa leje.

Aksioni policor ku u arrestuan 20 persona të cilët u quajtën “radikalë islamikë”, sipas PDSH-së i ngjan më shumë një “konstruksioni politik”.

“Forma e zgjedhur për komunikim me publikun e MPB-së është e papranueshme, paragjykuese dhe jo e besueshme. Është e palejueshme që me këtë rast ordiner të bëhet politikë arkaike, politikë që ngjall konflikte fetare dhe etnike. Me keqardhje konstatojmë se qëndrimi i BDI-së pas arrestimit të dhjetëra shqiptarëve ishte më i keq dhe më i shëmtuar se ai i Ministrisë së Punëve të Brendshme”, deklaroi Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

Nga Rilindja Demokratike Kombëtare thanë se tentativat që dukuritë kriminale të zhvendosen në rrafshin fetar, janë të rrezikshme.

“RDK është kundër krijimit të pretekstit për akuza të pabaza në rrafshin nacional, fetar dhe kundër çfarëdo lloj skenari që do mund ta çonte në një spirale të dhunës dhe jostabilitetit të kontrolluar për motive të përfitimit konjuktural politik”, reagoi Izet Zeqiri, deputet i RDK-së.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme ka lëshuar flet-arrest ndërkombëtar për dy personat që ndodhen në arrati, të cilat akuzohen për vrasjen e pesëfishtë.

Për të premten në Shkup është paralajmëruar mbajtja e një proteste paqësore në shenjë revolte kundër arrestimeve të shqiptarëve të pafajshëm, që shfaqen nëpër media dhe akuzohen si pjesë e rrjetit të “islamit radikal”.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA