SHBA, sondazhi, Obama favorit prej grave

02/04/2012 16:35

Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin këtë javë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Barack Obama do të fitonte një mandat të dytë, duke u renditur 4% përpara republikanit Mitt Romney në votime.

Sondazhi i realizuar nga “Gallup”, rezultatet e të cilit u publikuan të hënën, konfirmon një anketë të mëparshëm të kryer nga një universitet amerikan, që paraqiti një diferencë të ngjashme në preferenca.

Për Obamën, vendimtare do të ishte vota e femrave, të cilat e preferojnë dukshëm më shumë se gjinia tjetër dhe vota femërore do të ishte edhe më përcaktuese në shtetet e konsideruara si të “pavendosura”.

Megjithatë, sipas “USA Today” që publikoi rezultatin, shumë gjëra mund të ndryshojnë deri në zgjedhjet e nëntorit, ndërsa Romney duhet ende të konfirmohet si kandidati që do të sfidojë presidentin aktual.

Interesant fakti i grumbulluar nga disa anketa lokale, në të cilën rivali kryesor i Romney në garën brenda republikanëve, Rick Santorum, duket se ka shanse më të mira për të mposhtur Obamën në një duel “kokë më kokë”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një sistem zgjedhjesh të bazuar në pikë. Çdo shtet ka një sasi pikësh në proporcion me popullsinë e tij dhe kandidati fitues, i merr të gjitha pikët.

Kjo do të thotë se një kandidat mund të zgjidhet president edhe duke pasur më pak vota në total se kundërshtari i tij, që mund të ketë humbur në shumicë shtetesh me diferencë të vogël dhe fituar në zona të tjera me shumë diferencë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA