Kryebashkiaku i Tuluzës refuzoi varrosjen e vrasësit të shtatë personave, Mohamed Merah, në qytetin e tij, duke krijuar një problem shtetëror në lidhje me funeralin e 23-vjeçarit.
Familjarët e personit që realizoi tre atentate të ndryshme me sfond racor në jugun e Francës kishin kërkuar që trupi i tij të varrosej në Algjeri, vendin e origjinës, por autoritetet algjeriane e refuzuan kërkesën në minutën e fundit, duke cituar arsye sigurie.
Varrosja e Merah duhet të realizohej të enjten në Tuluzë, por kryebashkiaku Pierre Cohen vlerësoi se diçka e tillë do të ishte “e papërshtatshme” dhe i kërkoi prefektin shtyrjen e funeralit me 24 orë.
Është e paqartë se çfarë zgjidhje mund të gjendet, edhe pse presidenti Nicolas Sarkozy ka përkrahur më parë organizimin e një funerali në Francë. “Ai ishte një shtetas francez dhe nuk ka asnjë arsye përse t’i ndalohet që të varroset në vend”, deklaroi Sarkozy i pyetur rreth argumentit në një televizion kombëtar.
Babai i Merah padit shtetin francez
Babai i atentatorit të Tuluzës, Mohamed Merah, ka punësuar ndërkohë një avokat algjerian për të paditur forcat speciale franceze për vdekjen e të birit, raportuan mediat franceze.
Avokatja algjeriane Zahia Mokhtari tha për mediat franceze se Mohamed Benalal Merah vlerëson se djali i tij është vrarë në mënyrë të paligjshme.
Plani i zotit Merah ka shkaktuar kritika nga politikanët francezë. “Po të isha unë babai i një përbindëshi të tillë do të mbyllja gojën nga turpi”, deklaroi ministri i Jashtëm francez, Alain Juppe.
Zonja Mokhtari tha gjithashtu për agjencinë e lajmeve “AFP” se, një konventë e nënshkruar mes Francës dhe Algjerisë u lejon avokatëve të hapin çështje ligjore në të dyja vendet.
“Zoti Merah erdhi në zyrën tonë në Algjer ditën e martë për të na kërkuar zyrtarisht që të padisim Shërbimet Franceze të Sigurisë për mosndjekje të proçedurave gjatë përpjekjeve për të arrestuar Mohamed Merah dhe për vrasjen e tij”, deklaroi Mokhtari.
Mohamed Merah vdiq gjatë operacionit blic të policisë në apartamentin e tij në Tuluz, më 22 mars, pas një rrethimi që zgjati 32 orë, për shkak të përpjekjeve të autoriteteve për ta kapur atë të gjallë.
23-vjeçari kishte vrarë tre ushtarë në dy atentate të ndryshme, si dhe tre fëmijë dhe një mësues në një shkollë hebraike në jug të Francës.
Merah, i lindur në Francë por me prejardhje algjeriane, thuhet se i ka thënë policisë se donte të merrte hak për fëmijët palestinezë dhe të sulmonte ushtrinë franceze për shkak të operacioneve të saj ndërkombëtare.
Ngjarjet në fjalë, por edhe një tjetër e ndodhur në ditët e fundit ndaj një adoleshenti hebre që u sulmua dhe u quajt “çifut i ndyrë”, kanë vënë Francën në alarm për sulme të reja anti-semite.
Top Channel