Milani ka marrë një trepikësh mjaft të rëndësishëm në përballjen e vështirë me Romën e zhvilluar në San Siro.
Verdhekuqtë e Luis Enrique mbyllën në avantazhin e një goli pjesën e parë, falë atij të shënuar nga Osvaldo një minutë para përfundimit të kësaj pjese.
Me nisjen e fraksionit të dytë të takimit, Milani tregohet më agresiv dhe më shumë kërkues për gjetjen e golit të barazimit. Ngulmimi i kuqezinjve finalizohet në minutën e 53-të të takimit kur gjyqtari jep një 11-metërsh, pas prekjes së topi me dorë në zonë nga një lojtar i Romës.
Zlatan Ibrahimovic merr përsipër ekzekutimin e saj dhe nuk gabon. Në minutën e 83 mbërrin edhe goli i dytë, goli i fitores dhe sërish Ibrahimovic.
Minutat e mbetura janë shumë pak për të sjellë ndryshim rezultati dhe Milani fiton 2-1 duke u shkëputur plot 7 pikë nga Juventusi i vendit të dytë që luan të dielën në mbrëmje në Juventus Stadium, supersfidën ndaj Interit.
Por ky trepikësh i ka kushtuar shtrenjtë Milanit. Kjo përsa i përket lojtarëve që i bashkohen infermerisë e që mund të mungojnë në përballjen e Ligës së Kampioneve me Barcelonën në mesjavë. Një ndër ta ishte edhe Tiago Silva, mbrojtësi brazilian i shndërruar në një mur në skuadrën kuqezi i cili u zëvendësua vetëm pas 10 minutave lojë.
Top Channel